Sport

Ideja për Ligën e Përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë

Kosova dhe Shqipëria mund të formojnë një Ligë të Përbashkët dhe kjo nuk është larg realizimit

Që një kohë të gjatë po flitet për Ligën e Përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë në futboll, shkruan albinfo.ch.

Për këtë ide kanë folur edhe dy presidentët e federatave. Fadil Vokrri ka thënë se kjo ligë mund të realizohet. “Liga e Përbashkët ka qenë më parë një lloj demagogjie, pasi as shanset minimale nuk kanë qenë të realizueshme. Sot është një situatë tjetër, të dy federatat janë të pranuara ndërkombëtarisht dhe mund të diskutohen të gjitha temat, asnjë temë nuk është tabu, po ashtu edhe kjo. Por, kjo duhet bërë në harmoni të plotë me organet përkatëse, meqë jemi anëtarë të UEFA-s, si dhe të shikohet se cila është mundësia më e mirë”, deklaroi Vokrri për mediat vendore.

Edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka thënë se ka interesim për këtë ligë. “Ka kohë që kemi filluar të flasim me presidentin Vokrri për një aktivitet të përbashkët. Nëse do të jetë një Ligë e Përbashkët apo nëse do të jetë një Kupë, akoma nuk është përcaktuar. Por gjithsesi duam t’i japim seriozitetin e duhur, ngjyrat e duhura, për të pasur interesin e duhur”, ka deklaruar Duka.