Lajme

Irani i reagon Kosovës: shtetasi i arrestuar nuk është terrorist

Nëpërmjet një deklaratë për Shtyp  e Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Tiranë, hedh poshtë akuzat e bëra ndaj shtetasit iranian H.A.B. për pastrim parash dhe financim të terrorizmit. Irani kërkon dënim të drejt të këtij qytetari

Republika Islamike e Iranit nëpërmjet ambasadës në Tiranë, ka reaguar ndaj një vendimi që ka marrë Prokuroria Speciale e Kosovës, duke i ngritur aktakuzë një qytetari iranian i cili ka vepruar në Kosovë si “misionar”. Ky shtetas iranian me inicialet H.A.B, është akuzuar nga drejtësia kosovare se ka shpëlarë para dhe ka financuar terrorizmin islamik.

Nëpërmjet një deklaratë për Shtyp  e Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Tiranë, hedh poshtë akuzat e bëra ndaj shtetasit iranian H.A.B. për pastrim parash dhe financim të terrorizmit.

“Personi në fjalë ka drejtuar një organizatë jo fitimprurëse të themeluar më parë në bazë të ligjeve të Kosovës dhe thelbi i pranisë dhe  veprimtarisë së saj ka qenë krejtësisht transparent dhe bazuar në  rregullat e vendit. Për këtë arsye, vitin e kaluar, gjykata pasi dëgjoi mbrojtjen e personit në fjalë i zgjati atij lejen e veprimtarisë dhe të qëndrimit”, thuhet në reagim.

Kjo ambasadë, shpreson që institucionet e drejtësisë së Kosovës në vijim të procesit të gjykimit, pas një shqyrtimi më të saktë dhe më të plotë, “të deklarojnë të pabaza akuzat e bëra, në mënyrë që të mos lejojnë krijimin e dyshimeve dhe  zërave të pavërtetë nga ana e qarqeve dashakeqe”.

”Qëndrimet e qarta dhe progresive të Republikës Islamike të Iranit si një vend që ka qenë vetë viktimë e terrorizmit, si edhe masat e vendosura në luftë me fenomenin e kobshëm të terrorizmit, ekstremizmit dhe grupimeve tekfiriste janë evidente për këdo”, thuhet në reagim.

Republika Islamike e Iranit, siç thuhet më tej, ka deklaruar se ekstremizmi dhe  terrorizmi nuk njeh  kufi, komb, fe dhe gjeografi, prandaj, siç thuhet e ka bindjen, e thellë se për të mposhtur krizën në rritje të terrorizmit duhet të thahen rrënjët e tij, “thënë ndryshe mentaliteti ekstremist tekfirist  i cili me pa të drejtë  i serviret botës si islami i vërtetë”.

”Kjo gjë bën të nevojshme vendosmërinë dhe  vullnetin e përbashkët ndërkombëtar si edhe shtimin e përpjekjeve të përqendruara botërore me qëllim çrrënjosjen e ideve  terroriste dhe  mentalitetit të ISIS-it”, thuhet në reagimin që ka lëshuar  sektori i Shtypit i Republikës Islamike të Iranit,  nga ambasada në Tiranë.

Ndryshe, më 25 korrik, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër një shtetasi iranian H.A.B për katër vepra penale që lidhen me Parandalimin e pastrimit të parave dhe parandalimin e financimit të terrorizmit.

Sipas aktakuzës, gjatë vitit 2014 dhe 2015, në xhirollogarinë e OJQ-ës “Kur’ani” drejtor i së cilës është i akuzuari H.A.B janë deponuar donacione në shuma të ndryshme të parave, për të cilat nuk ka kërkuar lejim të pranimit të tyre nga Njësia për Inteligjencë Financiare, siç kjo kërkohet sipas ligjit.

“Po ashtu, në vitin 2014 i njëjti ka raportuar rrejshëm në Njësinë për Inteligjencë Financiare se do të pranoj një donacion nga Kuvajti, e në fakt parat ishin të deponuara në Kinë”, thuhet në njoftimin për media.

Më tej në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se i akuzuari H.A.B. nuk i ka ruajtur të gjitha llogaritë, të cilat dëshmojnë të ardhurat dhe shpenzimet e OJQ-së “Kur’ani”, ashtu që nga viti 2005 deri më 06 gusht 2015 ka pranuar donacione në shumën prej 579 mijës euro për deri sa tërheqjet janë në shumë prej 871 mijë euro, “që do të thotë se kjo OJQ ka realizuar tërheqje bankare më të mëdha se të hyrat, në shumë prej 291.970,67 €, e cila shumë e parave nuk është raportuar në NJIF”.

Si rezultat i hetimit të këtij rasti, Ministria e Administratës Publike ka pezulluar veprimtarinë e pesë OJQ-ve: “Kurani”, “Ibni Sina”, “Bregu i Diellit”, “Nisa” dhe “Ehli Bejti”.