Lajme

Ja çfarë pritet nga iniciativa gjermane për Ballkanin “Berlin Plus”

Hellbach: "Duhet që njerëzve në rajon t'u krijohen avantazhe konkrete. Për shembull me projekte që përmirësojnë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me njëri-tjetrin, por sidomos situatën ekonomike dhe krijojnë vende pune. Këtu bëjnë pjesë projekte infrastrukturore ndërrajonale -si autostrada mes Serbisë-Kosovës dhe Shqipërisë"

Koordinatori për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme gjermane, Christian Hellbach shpjegon për Deutsche Wellen iniciativën “Berlin Plus”. “Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel paraqiti në Konferencën e fundit të Institutit Aspen për Ballkanin vlerësimin e tij për gjendjen në Ballkanin Perëndimor. Ai bëri të qartë: Gjermania i mbetet besnike perspektivës europiane të këtyre vendeve, edhe për vetë interesin e saj. Por nuk është sekret, që afrimi i këtyre vendeve me BE po ecën shumë ngadalë, sepse jo të gjithë aktorët kanë interes të vërtetë për reforma.

Ne e dimë po ashtu, se reformat nuk janë të lehta, dhe se rajoni ka nevojë për më shumë mbështetje në afrimin me BE. Kjo nënkupton mbështetje politike, por edhe ekonomike si edhe impulse për kooperimin rajonal. Këtu ka ende shumë potencial të pashfrytëzuar. Në fund të fundit bëhet fjalë që qytetarët t’i ndjejnë drejtpërdrejt avantazhet e afrimit me BE.

Ne duam të ndihmojmë me projekte konkrete. Por kjo nuk është një rrugë njëkalimshe. Ministri Gabriel e bëri të qartë se në çështjet kryesore si shteti ligjor, të drejtat e njeriut dhe luftën kundër krimit e korrupsionit nuk do të ketë zbritje, thotë Hellbach për deutschewelle.de

Lidhur me atë se çfarë  mund të presin shtetet e Ballkanit nga kly plan,  koordinatori gjerman për Ballkanin thotë se nuk ka asnjë partner në rajon, që bën më shumë për rajonin sesa BE dhe Gjermania në planin bilateral. Ne e mbështesim Ballkanin politikisht, financiarisht dhe me transferimin e dijes. Pa harruar investimet dhe tregtinë. Nga ana ekonomike, Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës prej kohësh. Iniciativa “Berlin Plus” do të zgjerojë mbështetjen e deritanishme. Ne duam bashkëpunim rajonal, me qëllim që të lehtësohet anëtarësimi i mëvonshëm i rajonit: përmes intensifikimit të mbështetjes për reformat e transformimit në shtete ligjore demokratike. Në të njëjtën kohë do të forcohet edhe bashkëpunimi rajonal.

Ndërsa kur është fjala për fondet, Hellbach thotë: “Ajo që parashikojmë ne nuk është detyrë e një shteti të vetëm e nuk zgjidhet vetëm me para. Ajo është një detyrë e përbashkët, tek e cila duhet të bashkëveprojnë të gjithë. Ne europianët dhe vendet e Ballkanit. Për ne është e rëndësishme që Ballkani Perëndimor të marrë më shumë vëmendje nga Europa dhe që në rajon të forcohen forcat reformiste. Por ndryshimet e nevojshme shoqërore, politike, ekonomike duhet t’i kryejnë vetë këto vende. Ato duhet të kuptojnë që duhet të bëjnë reforma për të rezistuar në konkurrencën ndërkombëtare dhe për t’iu ofruar qytetarëve një perspektivë për të mos u larguar nga vendi. Pra edhe nëse nuk do të kishte një perspektivë integrimi këto vende duhet të ndryshojnë. Por ndryshe nga rajone të tjera, këto vende kanë fatin që BE u zgjat dorën dhe u merr një pjesë të kostos së transformimit.

Duhet që njerëzve në rajon t’u krijohen avantazhe konkrete. Për shembull me projekte që përmirësojnë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me njëri-tjetrin, por sidomos situatën ekonomike dhe krijojnë vende pune. Këtu bëjnë pjesë projekte infrastrukturore ndërrajonale -si autostrada mes Serbisë-Kosovës dhe Shqipërisë. Është çmenduri të shohësh se sa e vështirë është të udhëtosh nga Beogradi në Prishtinë dhe Tiranë, megjithëse këto vende janë vetëm një hop larg njëri-tjetrit. Nëse ne i mbështesim këto projekte, njerëzit e kuptojnë se po ndryshon diçka.

Por edhe vetë rajoni duhet të bëjë diçka për të përdorur shanset e digjitalizimit për ekonominë. Falë mundësisë së industrisë 4.0. shumë industri po e rikthejnë prodhimin sërish në Europë, kjo edhe për shkak të efektit të pasigurive politike në vende të tjera të botës.

Urgjentisht Ballkani duhet të zërë shpejt pozicionin e një rajoni atraktiv për të përfituar nga ky zhvillim. Kusht për këtë janë infrastruktura e IT-së dhe standartet e përbashkëta në rajon. Bëhet fjalë për ndërlidhjen e IT rajonale, që të mos gatuajë secili supën e vet, dhe në fund askush të mos ngopet.

Po ashtu duhet të bëjmë patjetër diçka që rinia të shohë perspektiva, sepse emigrimi masiv i rinisë, është një bombë me sahat që ne duhet ta çaktivizojmë. Investimet në arsim zënë një rol të rëndësishëm këtu.

Ministri Gabriel ka paraqitur ide, të cilat ne do t’i diskutojmë më tej me parnerët tanë. Nëse gjithçka zhvillohet, siç e dëshirojmë, atëherë do të ketë disa “zbatues”. Koordinimi do të bëhet në Bruksel. Gjermania si motore e iniciativës së re për Ballkanin, (Berlin Plus shën red.) do ta shoqërojë intensivisht procesin e idedhënies dhe zbatimit. Kemi reagime pozitive për këtë, si nga Brukseli ashtu edhe nga vendet e angazhuara, Italia, që është mikpritëse e Procesit të Berlinit më 12 korrik në Trieste.

Duke folur rreth mangësive që kanë shtetet e Ballkanit në punë të demokracisë, mediave të lira etj. koordinatori gjerman thotë se është vetëdishëm se në vendet e Ballkanit Perëndimor ka deficite në fushën e medias dhe lirisë së shtypit, por sidomos në atë të shtetit ligjor dhe drejtësisë. Edhe korrupsioni i përhapur është një problem kardinal. Ne nuk i mbyllim sytë para kësaj, përkundrazi. Temat si shteti ligjor, reforma në drejtësi, luftimi i korrupsionit dhe liria e shprehjes tematizohen rregullisht me qeveritë në rajon. Këto janë temat themeltare në afrimin me BE. Sa më shumë që afrohet integrimi, aq më shumë këto tema vendosen në qendër. Ajo që dihet është, se asnjë nga këto vende nuk do të jetë pjesë e BE, nëse nuk përmbush standardet në këtë pikë. Këtë e dinë mirë edhe vendimmarrësit në rajon.

 

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/ja-cfare-pritet-nga-iniciativa-gjermane-per-ballkanin-berlin-plus/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.