Lajme

Kosova në Olimpiadë, por me çfarë flamuri?

Në ngjarjen më të madhe sportive në botë, Olimpiadë, që sivjet do të mbahet në Londër, do të marrin pjesë shumë shqiptarë, futbollistët nga Zvicra, nga Gjermania, peshëngritësit dhe atletët nga Shqipëria dhe një kosovare e vetme, e cila me gjithë bllokadën ndërkombëtare të sportit të Kosovës, me rezultat ka arritur të sigurojë pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Londra 2012. Kjo është Majlinda Kelmendi, kampione e Evropës dhe fituese e shumë medaljeve në nivel evropian, që e bënë atë sportisten më të suksesshme të Kosovës në 30 vjetët e fundit.

Çdo shtet në botë ka të garantuara disa vende për garuesit e vet në mënyrë që të sigurohet pjesëmarrja e secilit vend pjesë e Komitetit Olimpik, mirëpo përtej numrit të kufizuar të sportistëve, pjesëmarrja e sportistëve të tjerë duhet të sigurohet me rezultate në nivel kontinental apo në nivel botëror. Prej futjes së kësaj rregulle në vitin 1992 asnjë sportist nga Shqipëria, Maqedonia dhe 40 për qind të vendeve të botës nuk kanë arritur të sigurojnë një rezultat të tillë.

Kosova, e cila nuk është pjesë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar nuk ka të drejtë në kuotën kombëtare, mirëpo xhudistja Majlinda Kelmendi ka arritur që pak para Olimpiadës të rangohet si xhudistja e gjashtë më e mirë në botë në kategorinë e saj dhe me këtë të sigurojë një vend për xhudisten, e me këtë edhe për Kosovën.

Mirëpo, me gjithë pjesëmarrjen, Majlinda në këtë garë do të marrë pjesë ose si sportiste e pavarur nga Kosova nën flamurin Olimpik ose si pjesëtare e ekipit të Shqipërisë.

Në fund të majit vendoset për mënyrën e përfaqësimit

“Në fund të këtij muaj Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të marrë një vendim rreth pjesëmarrjes së Majlindes në Londra 2012. Ne shpresojmë se ky komitet do t’i lejojë Majlindes që të marrë pjesë si sportiste e pavarur”, ka thënë Driton Kuka, trajner dhe menaxher i xhudistes.

“Ne e kemi bërë punën tonë, Majlinda ka arritur rezultate për pjesëmarrje në Olimpiadë, duke fituar 11 medalje në gara të nivelit botëror, përfshirë katër medalje të arta. Këto rezultate e kanë futur Majlinden në mesin e tetë garueseve bartëse të grupit në Lojërat Olimpike 2012”, tregon Kuka.

Tregimi i Majlindës dhe arritjet e saja ndërkombëtare janë inspirim jo vetëm për kosovarët. Madje, suksesi i saj në arenën ndërkombëtare e ka futur Majlinden në mesin e 25 sportistëve të cilët tash e dy vjet i përcjell kanali botërorë BBC, i cili bën storie për të tash dy vjet. BBC World deri tash ka realizuar gjashtë storie, secila më e gjatë se dy minuta. Gjithashtu, për Majlnden janë bërë dy dokumentarë nga Transworld Sports, një produksion televiziv britanik që është i specializuar në ndjekjen e yjeve sportive. Gjatë muajit të kaluar Transworld Sports ka bërë dokumentar për Didier Drogbën e ekipit futbollistik Chelsea, apo për motoristin zviceran, Mat Rebeaud. Tregimi i Majlindës dhe përpjekja e saj për pjesëmarrje në Olimpiadë gjithashtu ka gjetur vend në faqet e “The New York Times”, si dhe në revista të tjera të specializuara të sportit.

Majlnda ka vetëm 21 vjet dhe ajo është një ndër pjesëmarrëset më të reja të kësaj Olimpiade në sportin e xhudos. Kjo moshë e re e bënë atë kandidate për pjesëmarrje edhe në Olimpiadën 2016 dhe 2020, pasi në këtë sport pjekuria arrihet në të njëzetat e vona, ndërsa aktivisht sportistët merren deri në fillim të tridhjetave.

Suksesi i Majlindës dhe vëmendja ndërkombëtare që iu ka dhënë asaj tashmë është duke e ndihmuar sportin kosovar në përgjithësi. Muajin e kaluar Federata Ndërkombëtare e Xhudos e ka pranuar Federatën Kosovare të Xhudos si anëtare të plotë, ndërsa më herët kosovarët kanë marrë pjesë si mysafirë.

Niveli i xhudos në Kosovë është i lartë

“Niveli i xhudos në Kosovë është mjaft i lartë dhe kjo mund të avancohet edhe më tutje”, është thënë në një komunikatë për gazetarë të lëshuar nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos. Ndërsa kryetari i Federatës, Marius Vizer, në një intervistë të mëhershme ka thënë se “xhudo në Kosovë ka një perspektivë të mirë dhe për këtë kosovarët duhet të përfshihen në nivel ndërkombëtar”.

Pranimi i Federatës së Xhudos në Federatën ndërkombëtare ka ndihmuar Komitetin Olimpik të Kosovës që të përmbushë kriterin teknik për anëtarësim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Për të bërë këtë Kosova duhet të ketë së paku pesë Federata të sporteve olimpike të pranuara ndërkombëtarisht.

Momentalisht Majlnda është në përgatitje në Slloveni dhe Austri, ku së bashku me trajnerin e saj është duke konsultuar edhe me nutricionistë dhe ekspertë të tjerë sportivë.

Për Albinfo.ch Kelmendi ka thënë se “është kënaqësi të përfaqësosh vendin tënd, e është kënaqësi edhe më e madhe kur hap rrugë për sportistë të tjerë. Unë kam filluar pjesëmarrjen në gara ndërkombëtare nën flamurin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, tash këtë mund ta bëjë në emër të Kosovës. Shpresoj se këtë herë në Olimpiadë do të dalë me flamur Olimpik e në Olimpiadën tjetër me atë të Kosovës dhe çka është më e rëndësishmja, shpresoj se atje nuk do të jem vetëm, ka thënë Kelmendi.

Foto Galeri