Bizneset

“Kristi Transport”, një histori suksesi në Sulgen të Zvicrës

Kompania “Kristi Transport”, me seli në Sulgen, e pronarit Kristë Ukës nga Stublla e Vitisë, është dëshmi se puna e palodhshme dhe guximi për investim, gjithmonë shpaguhet.

 Sulgeni është një fshat me mbi 3 mijë banorë në kantonin Thurgau. Edhe në këtë vendbanim, sikur edhe në pjesë të tjera të Zvicrës, shqiptarët, si komunitet i huaj, dominojnë, jo vetëm për nga numri, por edhe për nga angazhimi i tyre në  jetën publike dhe atë shoqërore në përgjithësi.

Në shumë kantiere ndërtimi në këtë rrethinë, hasni në  mbishkrime të firmave me emra shqiptarë. Kjo, përveçse dëshmon suksesin e firmave me pronar shqiptar,  po ashtu tregon se banorëve lokalë nuk u pengon që shtëpitë e tyre po ndërtohen nga shqiptarët.

Njëra prej tyre është edhe firma “Kristi Transport”, e shqiptarit nga Kosova Kristë Uka, e cila për çdo ditë i furnizon kantieret me beton, nga kompania zvicerane e kalibrit botëror, “Holcim”.

Si 19 vjeçar, Kristi kishte emigruar nga  Kosova, në Zvicër. Duke qenë i huaj dhe pa zanat, ai detyrohet të punojë në fillim si kopshtar.  Për 7 vite me radhë punon në këtë profesion, vite këto që edhe e afrojnë më shumë me kopshtet dhe natyrën, e ku ai fascinohet me botën komplekse dhe rëndësinë që ka ky drejtim.

Ëndrra e bërë realitet

Gjatë kësaj kohe, Kristë Uka promovohet disa herë në detyrë si mjeshtër, e gjithë kjo falë angazhimit të tij të madh. Për shkak se puna që bënte nuk ishte edhe e lehtë, Kristi me rrënjë nga Stublla e Vitisë, filloi të mendonte që ta braktiste punën e kopshtarit. Paralelisht ai është pajisur me patentë shoferi për kamionë dhe autobus. Madje filloi te bartte udhëtarë për në vendlindje. Pas një kohe ai kalon në një profesion krejtësisht tjetër, bëhet shofer në një kompani zvicerane transporti, mirëpo, në mendjen dhe në zemrën e tij gjithmonë ishte ëndrra që një ditë të bënte një firmë që do ta barte emrin e tij, ëndërr kjo që u bë realitete para dhjetë viteve.

Kjo ëndërr është realizuar falë angazhimit të tij, përkushtimit të madh dhe njohurive që Kristi zoton në këtë fushë; e tëra kjo ka bërë që sot nën „komandën“ e tij udhëhiqen mbi 8 punëtorë të cilët punojnë në kompaninë e transportit “Kristi Transport”.

Nga hiçi, në 6 kamionë transportues të betonit

Pa një shkollim paraprak për logjistikë, por vetëm falë përvojës, ai në vitin 2007 krijon nga hiçi firmën e transportit, që tashmë gëzon reputacion të mirë në këtë rrethinë dhe konsiderohet të jetë e vetmja me pronar shqiptar në tërë kantonin Thurgau.

Kristi rrëfen kështu: “Me kursimet që i kisha, sigurova një kamion transportues të betonit dhe punova për 4 vite si i vetëm në kompani, dalëngadalë e kam blerë edhe kamionin e dytë, të tretin, ndërsa, tani i kam 6 të tillë”. Dhe shton: “nuk është e lehtë, ngase kërkohet saktësi dhe kualitet”.

Firma “Kristi Transport” ka të punësuar më shumë shqiptarë, ndërsa thotë se konkurrenca e madhe e ka bërë të vështirë funksionimin në këtë sektor.

Synon edhe tregun e patundshmërive

Biznesmeni shqiptar nga Kosova, nuk është ndalur vetëm në transportimin e betonit dhe në cilësitë që kjo punë kërkon, por është hapur edhe në fusha tjera, në fakt ai është pronar edhe i një firme tjetër të patundshmërisë në Zvicër me emër: «Kristi Immobilien».

Të gjitha shtëpitë e ndërtuara nga Kristi, pronar i të cilave është ai vet, tashmë janë të banuara dhe shumë të kërkuara, kjo për arsye të cilësisë dhe të komoditetit që ato kanë. Kjo nuk është e tëra për 42-vjeçarin e suksesshëm shqiptar, ai thotë se synon të zgjerohet në sektorin e patundshmërive, duke investuar edhe në Kosovë, por, prioritet për të mbetet transporti.

Suksesi i Kristit, dëshmi se angazhimi shpërblehet

“Shqiptarët në Zvicër, shumica nga ne, ende funksionojmë me firma të vogla, me nga deri në 10-të punëtorë. Por, lirisht mundë të pohojë se firmat tona janë shumë serioze dhe cilësore, funksionojnë shumë mirë, megjithëse duhet shumë punë dhe përkushtim. Kohëve të fundit kemi presione për ulje të çmimeve për shkak të numrit të madh të firmave, pra për arsye të konkurrencës së madhe”, thotë Kristi.

Kristë Uka, në bashkëbisedim me albinfo.ch krahason edhe çmimin e betonit këtu dhe në Kosovë. “Në Zvicër një kubik beton shkon nga 180 deri 220 franga, ndërsa në Kosovë është nga 55 deri 60 euro.

Kompania e Kristë Uka, është një shembull i mirë i suksesit dhe tregon se puna e palodhshme, por edhe guximi për investim në realizimin e ideve të mira dhe të shëndosha, gjithmonë shpaguhet.