Shqipëria

Kritere të reja për ofiçinat e mekanikëve

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor të Shqipërisë pritet të nisë kontrollet për zbatimin e kritereve ligjore nga subjektet që ushtrojnë veprimtarinë në fushën e riparimit të automjeteve dhe transportit rrugor.

Kriteret janë të ndara në kategori për riparimin e pjesëve mekanike, riparimin e karrocerisë, riparimin e impiantit elektrik, riparimin e gomave, por edhe për subjektet që tregtojnë mjete me motor dhe rimorkio apo kryejnë grumbullimin dhe shkatërrimin e mjeteve të dala jashtë përdorimit apo të braktisura.

Lista me kriteret është e ndarë për pajisjet dhe instrumentet, ambientin si dhe dokumentacionin e nevojshëm, përcjell albinfo.ch.

Krahas mjeteve të punës, kriteret kërkojnë zotërimin e një kompjuteri, pajisjet e mbrojtjes nga zjarri dhe kutinë e ndihmës së shpejtë. Sa i takon ambientit, ai duhet të jetë të paktën 30 metra katror, të ketë zyrë për punë administrative dhe nyje hidrosanitare. Me ligj janë paraparë dënime nga 200 deri 700 mijë lekë për të gjithë ata që nuk i plotësojnë këto kushte.