Feja

Kundër ekstremizmit dhe fanatizmit fetar të dëmshëm në emër të Islamit

Në këtë seminar morën pjesë 56 të rinj dhe aktivistë nga xhamia e Aarburgut, Langenthalit, Grenchenit, Lenzburgut dhe nga dy xhamitë e Reinachut

Viteve të fundit në fokus të mediave vendase dhe ndërkombëtare, është tema e radikalizmit të rinjve myslimanë në Zvicër dhe kalimi i tyre në rajonet e luftës si në Siri ashtu edhe në Irak. Në të kaluarën janë shënuar disa raste, kur persona me vendqëndrim në Zvicër, kanë ikur në Lindjen e Mesme për të luftuar krah organizatave të ndryshme, disa prej të cilave janë cilësuar si organizata terroriste.

Shumë bashkësi dhe organizata të myslimanëve në Zvicër, kanë ngritur zërin kundër radikalizmit dhe ekstremizmit, i cili dukshëm ka ndikuar dhe në imazhin e myslimaneve në Zvicër dhe më gjerë. Unioni i Imamëve Shqiptarë, përveçse ka dënuar ashpër këtë praktikë të disa individëve, përfaqësuesit e saj, shpesh herë janë paraqitur dhe me hapa konkretë, drejt vetëdijesimit të imamëve që veprojnë në radhët e tyre dhe myslimaneve që ata përfaqësojnë.

Kësaj radhe, në vikendin që lëmë pas, Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër, në kuadër të organizimit të seminareve për të rinjtë myslimanë shqiptarë, ka shënuar dhe një aktivitet nën moton “Jo ekstremizmit dhe fanatizmit fetar të dëmshëm në emër të Islamit”, të organizuar në lokalet e “Xhaminë së Bardhë” në Aarburg të kantonit Aargau.

Në këtë seminar morën pjesë 56 të rinj dhe aktivistë nga xhamia e Aarburgut, Langenthalit, Grenchenit, Lenzburgut dhe nga dy xhamitë e Reinachut.

Për këtë rast UISHZ angazhoi dy imamë nga radhët e saj, të cilët njohin mirë realitetin e kësaj dukurie. Mr. Rejhan Neziri nga Kreuzlingeni ka ligjëruar në gjuhën gjermane, me temën “Radikalizimi i të rinjve myslimanë – procesi dhe sfidat”. Ndërsa dr. Bashkim Aliu, imam nga xhamia e Wetzikonit, u është drejtuar të pranishmëve në gjuhën shqipe, me temën “Ekstremizmi, shkaqet dhe evitimi. Një qasje nga këndvështrimi islam”

Nehat Ismaili, kryetar i Unionit të Imamëve Shqiptarë, për albinfo.ch deklaroi: “Përmes organizimit të seminareve me të rinjtë, UISHZ synon të ngrejë vetëdijen e kësaj grup-moshe nga rreziqet e ekstremizmit dhe fanatizmit fetar, i dëmshëm në rend të parë për vet myslimanët, por edhe për mbarë shoqërinë.”

„Vazhdimi i aktiviteteve tona në këtë fushë, është dhe një argument shtesë, se UISHZ,  punon në jetësimin e Deklaratës së Bernës, të nënshkruar në prani të përfaqësuesve shtetërorë në kryeqytetin e vendit“ – u shpreh Ismaili.

„Pyetjet dhe diskutimet nga të pranishmit, e bënë këtë seminar edhe më të begatë“, u shpreh Rejhan Neziri, njëri nga ligjëruesit. Ky aktivitet do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në tri pika vendtakimi, me të cilat synohet mbulimi i të gjitha qendrave Islame, të cilat gravitojnë në kantone të ndryshme në mbarë Zvicrën.

 

 

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/kunder-ekstremizmit-dhe-fanatizmit-fetar-te-demshem-ne-emer-te-islamit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.