CH-Ballkani

Markusi, zvicerani që prej 18 vitesh i kalon pushimet verore në Kosovë

Markus Leutenegger për të gjitha këto vite të pasluftës së Kosovës, i ka vetëm tri-katër „mungesa“ nga pushimet verore në Kosovë. Nga kjo miqësi me Kosovën lindi edhe dashuria e tij e jetës: Havija me të cilën martohet këtë verë

Markusi ka qenë ende i mitur kur për herë të parë është nisur në drejtim të Kosovës me shokun e tij të ngushtë, Elbasanin.

Kosovën ai e njihte nga tregimet e Elbasanit dhe po shkonte në drejtim të Prizrenit i qetë, por me ndjenja të përziera. „Konktaktet e para nuk ishin edhe aq mbresëlënëse“, kujton ai Shqipërinë e vitit 2000. Rrugët e shkatërruara, mungesa e sinjalizimit dhe kaosi në komunikacion, ishin ndryshimi i madh që po përjetonte zvicerani ri me të hyrë, përmes rrugëve ujore, në portin e Durrësit.

„Herën e parë kur mbërrita në Kosovë më është dukur gjithçka e çuditshme dhe ndryshe nga Zvicra“, tregon ai.

Markusi kishte kaluar rrugën nëpër Shqipëri me familjen e shokut të tij, pa kuptuar asnjëherë si duhet përse tërë ajo nguti për të mbërritur sa më parë në Prizren…

Por as nuk e kishte menduar asnjëherë që Kosova dhe shqiptarët, në dukje kaotikë, por në brendësi të dashur e të afërt, shumë shpejt do të pushtonin pikën më të ndjeshme të zemrës; dashurinë për njerëzit, për shqiptarët.

Ngrohtësinë familjare që po përjetonte në malësinë e thellë të Opojës, ai nuk po arrinte ta shlyenta nga kujtesa dhe kështu nuk kalon shumë kohë dhe kthehet prapë për pushime në Kosovë. Tani më jo një e dy herë, por ai po vinte rregullisht për çdo verë, “madje do të bëj edhe dasmën në Kosovë, me muzikë e daulle vendase”, shprehet elektricisti 32 vjeçar.

„Pas njohjes me njerëz atje, kuptova që ata ishin shumë mikpritës; secili mundohej të fliste me mua gjermanisht me ato pak fjalë që dinin e mund t’i kishin dëgjuar. Kjo me fascinoi, pasiqë ne nuk veprojmë më të huajt kështu në Zvicër“, thotë Markusi.

Markus Leutenegger për të gjitha këto vite të pasluftës së Kosovës, i ka vetëm tri-katër „mungesa“ nga pushimet verore në Kosovë.

„Për çdo verë me tri deri në katër javë kam kaluar pushimet në Brezne me shokun tim Elbin“.

Ishte dashuruar me njerëzit e Kosovës, nuk e mendonte më jetën pa ta 

Tërë shoqëria e tij ishte shqiptare, pushimet i kalonte atje dhe dashurinë e jetës po e kërkonte atje.

„Njeriu ndjehet mirë në mesin e tyre. Mikpritja shqiptare është një traditë shumë e mirë“, tregon ai ndjenjat për popullin shqiptar dhe vajzën shqiptare të jetës, Havin, siç e quan ai. Të cilën e ka njoftuar gjatë pushimeve verore në Prizren dhe me të cilën së shpejti do të martohet.

„Mentaliteti i grave shqiptare është tjetër dhe mendojnë ndryshe“, tregon Markus Leutenegger përvojen e tij me të fejuarën shqiptare e cila verës do të veshë fustanin e nusërisë për të.

„Krejt kjo ka ndodhur shpejt“, kujton ai momentet e sikletshme të vendimit për të vajtur në shtëpinë e të dashurës së tij Havijes, ku i ka kërkuar dorën e vajzës prindërve të saj.

„Kontakti im i parë me prindërit e të fejuarës sime Havës, ka qenë përfekt“.

„Ata më kanë pritur mirë, shumica prej tyre e flasnin shumë mirë gjermanishten. Ndërsa vetë Havi, është mësuese e gjermanishtes dhe komunikimi me të është i lehtë dhe pa pengesa“, përshkruan Markusi vajzën me të cilën do të martohet verës,  me një dasmë të madhe në Prizren.

„Ne kemi ftuar rreth 200 persona, shprehet Markusi me një shkelje syri. „Unë nuk kam shumë, vetëm familjen time dhe disa shokë. Ama nusja ime, po. Ajo ka ftuar pjesën tjetër“.

“Ndoshta do të duket numër i madh për prindërit i mi, por për rrethanat shqiptare dasma me 200 mysafirë nuk është e madhe”, tregon zvicerani që për kaq shume vite shoqëri me shqiptarët e kupton gjuhën shqipe mjaft mirë.

I ka në qejf shqiptarët, rri vetëm me ta, por specat nuk i ha dot…

Ai ka shëtitur Kosovën gjithandej, ka provuar restorantet më të mira të Kosovës, “por specat”, thotë, “nuk i ha dot. Por ama më pëlqen pasuli, është shumë i mirë, qebapat, e pitja”.

Kur e mendoj si dukej Kosova menjëherë pas luftës, mund të them se „sot mbi 18 vjet pas çlirimit dhe dhjetë vjet të pavarësisë, Kosova ka ndryshuar shumë, sidomos në infrastrukturë, ku çdo gjë është bërë e re dhe thuajse nuk ka më rrugë apo fshat të paasfaltuar“.

E fejuara e Markusit, Havija, thotë se lidhja e tyre nuk dallon nga lidhjet e tjera midis çifteve shqiptare. “Nuk ka qenë edhe aq e vështirë pasi që Markusi e njeh mjaft mirë kulturën dhe mentalitetin tonë. Shokët e tij janë shqiptarë dhe prej vitit 2000 ai vjen për pushime thuajse çdo verë në Kosovë, në familjen e shokut të tij.

“Kjo ka lehtësuar komunikimin me të dhe familja ime e ngushtë ka reaguar më mirë se ç`prisja. Kuptohet që s’kanë qenë aq të ngazëllyer për këtë, por nuk kanë kundërshtuar vendimin tim. Pastaj, më kanë miratuar edhe më shumë, me të njohur Markusin”.

Havija ka jetuar disa vite në Gjermani dhe e njeh mirë mentalitetin dhe mënyrën e jetës në Zvicër e Gjermani, por thotë, “përsëri e pyes veten se a do t` ia dal me te vërtetë të përshatetem në Zvicër”.

“Familja e Markusit janë njerëz shumë të dashur dhe të afërt. Më kanë pranuar në familjen e tyre dhe më thonë që nuk duhet të brengosëm fare për këtë”, tregon  mësuesja e gjermanishtes, Havije Hoxhaj.