E-Diaspora

Mbrëmje e veçantë për artistët shqiptarë në Gjermani

Mysafir special i mbrëmjes është Gramoz Goranci, i cili me tingujt e harmonikës do të pasurojë edhe më shumë këtë mbrëmje të veçantë

Një mbrëmje e veçantë artistike për shqiptarët do të mbahet më 25 mars në Koln të Gjermanisë, përkatësisht në sallën e shtëpisë, “Altes Pfanfhaus”.

 

Fillimisht “Rrugëtimi i hyjneshave” është ekspozita e skulptores Arjeta Mftari e cila hapet në orën 18:00. E inspiruar nga “Hyjnesha në fron” e cila u gjet në gërmadhat e Ulpianës dhe e cila supozohet të jetë diku rreth 5000 vjet e vjetër, skulptorja Miftari ka krijuar hyjneshat e saja karakteristike disa prej të cilave edhe do t’i prezantojë para publikut në Koln, shkruan ‘Kultplus’.

 

Mbrëmja do të vazhdojë me muzikë me programin “Sinneswandlungen” (Shndërrimet e shpirtit) që fillon në orën 19:30. E njohur si protagoniste e shumë operave të njohura, këngëtarja shqiptare Flaka Goranci do të lë për një mbrëmje operën e Vjenës dhe do të këndojë para publikut në Koln arie nga opera të ndryshme. Dirigjenti dhe pianisti i njohur Desar Sulejmani do të përcjellë në piano Flaka Gorancin si dhe do të luajë vepra të Liszt dhe Thalber, përcjell albinfo.ch.

 

Në pjesën e dytë të mbrëmjes Flaka Goranci do të interpretojë këngë nga albumi i saj “Albanian Flowers”, këngë këto që janë udhërrëfyes muzikor nëpër Shqipëri dhe Kosovë.

 

Mysafir special i mbrëmjes është Gramoz Goranci, i cili me tingujt e harmonikës do të pasurojë edhe më shumë këtë mbrëmje të veçantë.