Shqipëria

Mediat spanjolle: Shqipëria, një nga ‘parajsat e mahnitshme’

Më tej, në artikull përshkruhen edhe plazhet e vendit, ‘të pacenuara e me ujëra të kristaltë’ për t’u ndalur më pas edhe te atraksionet e shumta turistike që ofron Shqipëria

“Me shumë gjasa që as e keni menduar ta përfshini Shqipërinë në destinacionet tuaja të mundshme të pushimeve. Nëse ju pëlqen të zbuloni perlat autentike, vizitojeni këtë vend tani, para se të jetë plot me turistë”.

Kështu shkuan e përditshmja spanjolle ‘La Vanguardia’ për Shqipërinë, teksa e rendit atë si një nga destinacionet më të lira dhe më joshëse për të kaluar pushimet e verës.

E listuar krah Malit të Zi, Kroacisë, Rumanisë dhe Marokut, Shqipëria është cilësuar gjithashtu si një nga ‘parajsat e mahnitshme’ ku turistët e huaj mund të bëjnë pushimet verore pa tejkaluar buxhetin e tyre. Kjo, pasi me ardhjen e sezonit veror, siç pritet, çmimet e shërbimeve turistike fillojnë të rriten, shkruan ‘Scan’.

Më tej, në artikull përshkruhen edhe plazhet e vendit, ‘të pacenuara e me ujëra të kristaltë’ për t’u ndalur më pas edhe te atraksionet e shumta turistike që ofron Shqipëria.

“Rrënojat mbresëlënëse të Butrintit, me më shumë se tre mijë vjet histori; qendra e qytetit të Gjirokastrës, është një nga pak shembujt e qytetit osman ruajtur në gjendje të mirë, kështjella dhe bunkerë janë disa nga mrekullitë e tij, për të mos përmendur bukuritë natyrore si Syri i Kaltër, me burimet e saj natyrore”, përfundon ‘La Vanguardia’.