Lajme

Në Butrint, sot fillon festivali i 13-të ndërkombëtar i teatrit

700 vende sa ka edhe sot teatri antik do të jenë në dispozicion të vizitorëve për pesë ditët në vijim (18-23 korrik 2015), derisa në skenë pritet të paraqiten teatrot kombëtare nga Bullgaria, Italia, Maqedonia dhe Shqipëria

Pushuesit dhe dashamirët e teatrit nga rajoni i Sarandës, për pesë mbrëmje radhazi , do të jenë të privilegjuar për faktin se ata mund të shohin shfaqjet teatrale që do të jenë pjesë e Festivalit të 13-të Ndërkombëtar të Teatrit. Skena e improvizuar në teatrin e hapur antik të Butrintit, të ndërtuar në shekullin e 3-të para erës sonë, do të ngjallë emocione te vizitorët për kulturën e lashtë teatrore të kësaj pjese të Ilirisë. 700 vende sa ka edhe sot teatri antik do të jenë në dispozicion të vizitorëve për pesë ditët në vijim (18-23 korrik 2015), derisa në skenë pritet të paraqiten teatrot kombëtare nga Bullgaria, Italia, Maqedonia dhe Shqipëria.

« Gjatë 15 vjetëve të fundit arritëm t’i organizojmë 13 festivale ndërkombëtare pikërisht në këtë skenë madhështore në teatrin antik të Butrintit », shpreh entuziazmin drejtori i Festivalit, z. Alfred Bualoti, i cili mes rreshtave lë të kuptohet për vështirësitë e organizimit të kësaj ngjarjeje kulturore reprezentuese për Shqipërinë, duke falënderuar edhe bashkëpunëtorët e tij si : z. Edmond Xhumarin, menaxher, z.Gjergji Manon, drejtor i Parkut Nacional të Butrintit, drejtorin teknik z. Xhimi Vila etj.

Zoti Bualoti shpreh keqardhje për mungesën e teatrove kombëtare shqiptare nga Kosova e Maqedonia, por shpreson se në festivalet e ardhshme, përgjegjësit shtetëror të kulturës do të ndajnë më shumë mjete financiare për këtë ngjarje, dhe do të shtojnë pjesëmarrjen, kurse pret që, të paktën, festivalin do ta vizitojnë shumë vizitorë shqiptarë, pikërisht nga Kosova e Maqedonia, të cilët këto ditë po i kalojnë pushimet në plazhet e shumta të Sarandës dhe Ksamilit.

Programi i shfaqjeve do të fillojë për çdo mbrëmje nga ora 21:30 minuta. Në mbrëmjen e parë (18 korrik) paraqitet teatri i Bullgarisë me shfaqjen « Decameron » të Giovanni Boccaccio me regjisore Diana Dobreva. Natën e ditë performon Teatri i Bergamos nga Italia me shfaqjen « Zëra të huaj » të regjisorit Luigi Pezzotti.

Në mbrëmjen e tretë, teatri i Durrësit « Aleksandër Moisiu » do të paraqitet me shfaqjen « Electra » të Sophocles, të vënë në skenë nga regjisori Leart Vasili.

Teatri i komedisë nga Shkupi i Maqdonisë do të performojë me shfaqjen « Lisystrata » të Aristophanes, regjisuar nga Natasha Poplavska.

Dhe, së fundi, në natën e fundit, kompania e teatrit « Art-Din » nga Tirana do të performojë shfaqjen « Apologjia e vërtetë e Sokratit », të autorit Kosta Varnalis, të cilën, për skenë, e ka adaptuar aktori i njohur shqiptar Mirush Kabashi. Përveç Kabashit në shfaqje luajnë edhe Alfred Bualoti e Milena Nurka.

Drejtori i Festivalit, z. Bualoti bën të ditur se të gjitha shfaqjet janë falas, ndërkohë që vizitorët do të joshen edhe me bukuritë e parkut nacional të Butrintit.