Shqipëria

Rama i quan “zogj të korbit”, opozita largohet nga salla

Kreu i PD-së, dhe deputetët e opozitës i janë afruar foltores duke i kërkuar llogari Ramës për gjuhën e përdorur, ndërsa ai i ka quajtur “zogjtë e korbave”

Tensionet në Kuvendin e Shqipërisë kanë vazhduar edhe në seancën e sotme. Derisa po fliste kryeministri Edi Rama  për ndihmën ekonomike, kreu i PD-së, dhe deputetët e opozitës i janë afruar foltores duke i kërkuar llogari Ramës për gjuhën e përdorur, ndërsa ai i ka quajtur “zogjtë e korbave”. Kjo ka bërë që edhe seanca të mbyllet.

“Tritan, ne nuk krahasohemi me kohën e zogut po përballë zogjve të kohës që jeni ju dhe fluturoni si korbat mbi çdo gropë që hapët duke kërkuar llogari prej nesh. Urdhëro, vazhdoni fluturoni, po ta mësojnë njerëzit se ju jepnit 38 mln dollarë për ndihmën ekonomike, ne japim 48 mln dollarë. Subvencioni juaj për energjinë, ujin librat e kështu me radhë ishte minimal”, theksoi ai.

Pas fjalës së kryeministrit, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi mbylli seancën.

Më herët  Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi ekzekutivin për heqje të ndihmës ekonomike 20 mijë familjeve. Basha theksoi se vendimi për heqjen e ndihmës ekonomike është vetëm i Edi Ramës dhe sipas tij, ky është një vendim kriminal.