Kultura

“Razglednicë” nga Shk(o)upi

Umberto Eco kishte ndërprerë  së fotografuari qysh vitin 1961, me arsyetimin se – duke qenë shumë i zënë me detyrën e fotografit, e ka humbur shijen e shikimit me sy të objekteve. Prandaj rekomandimi i tij ishte që të blejë ndonjë libër me fotografi të bukura të vendit që e viziton dhe kohën tjetër ta kalojë duke e shijuar vendin sa më mirë. Përderisa më parë shkrepja me qindra fotografi të vendeve që i vizitoja (dhe pothuajse asnjëherë nuk i përdorja), në rrugëtimet e fundit, duke ndjekur rekomandimin e Ekos, vendosa të blej ndonjë kartolinë ose broshurë të bukur të atij vendi.

Këtë pragmatizëm e përdora edhe gjatë qëndrimit tim të fundit në, dikur, Shkupin tim. “Viktimë” e radhës  ishte Muzeu Arkeologjik i Maqedonisë, që së paku ka epitet gjeografik e jo kombëtar si shumica e institucioneve të tjera (si “Македонски Пошти”, që vazhdimisht përkthehet gabimisht me “Postat e Maqedonisë” ndërsa duhet të jetë “Postat maqedonase”!!!). Shitësja e biletave më priti me buzëqeshje dhe kur e pyeta se sa kushton bileta, me automatizëm më sqaroi se për të huaj është 300 denarë, për maqedonas 100 denarë, ndërsa për më të rinj se 29 vjeç, studentë e pensionistë e ashtu me radhë, bileta kushtonte 50 denarë. Plotësisht i vetëdijshëm se buzëqeshja e saj do të humbet menjëherë, e pyeta se sa kushtonte bileta për një person, i cili është më i vjetër se 29 vjeç, i cili nuk është ende pensionist, por që është shqiptar?!? Epilogu ishte se sensi i humorit të nëpunëses duhej korrigjuar dhe se, pas një kohe shumë të gjatë, u ndjeva për disa çaste qytetar i barabartë i këtij vendi, ngase nuk pagova 300, por 100 denarë, njësoj sikur të isha maqedonas.

Videoprojektorët, siguria dhe VIP-at

Ende pa hyrë të shoh se çka kishte në hapësirat e muzeut, u ballafaqova me shenjën që tregon se ndalohet fotografimi. Mund të hap debat të gjerë mbi atë se qasjet e këtilla restriktive vetëm u sjellin dëm institucioneve kulturore, por për një çast më kujtohet Umberto Eko, e mbaj veten dhe hy në hapësirën e parë dedikuar numizmatikës. Larg prej të qenit ekspert në këtë fushë, më bën përshtypje vizëllimi i tepruar i monedhave, që të bëjnë të mendosh se cilës periudhë kohore, në fakt, i takojnë monedhat. Mendohem mos ndonjëra prej përmbledhjeve është e eskavimeve të të “famshmit” Pasko Kuzman, por më bie ndërmend se eskavimet që ai i ka mbikëqyrur, kanë gjetur vend diku jashtë vendit. E vazhdoj shëtitjen, duke mbajtur vetëm shënime të vogla dhe i përcjellë vazhdimisht nga sigurimi i muzeut. Që ta zbus pak tensionin, edhe t’ia bëj me dije vajzës që kujdesej për sigurimin se nuk kam ndërmend të nxjerr jashtë asnjë sekret nga ky muze, e pyes për rolin e numrit kaq të madh të video-projektorëve. Ma merr mendja se shërbejnë si mjete teknologjike për të pasuruar eksperiencën e vizitës, megjithatë më interesonte përse ato nuk ishin në përdorim. Me gjakftohtësi, vajza e sigurimit më shpjegon se video-projektorët dhe pajisjet e tjera teknologjike vihen në përdorim vetëm kur Muzeun e vizitojnë VIP-a, kryesisht të sferës politike. Tani mund ta imagjinoj se sa shpesh vihen në përdorim këto pajisje, duke marrë parasysh interesimin për trashëgimi kulturore të politikanëve, sidomos të atyre “tanëve”.

Muzeu sa vjen e bëhet më i çuditshëm. Tavani është i dekoruar me copa druri të prera kënddrejtë, ndërsa i kombinuar me zhurmën e ventilimit të ndërtesës, të krijon përshtypjen se një frymë të shpie gjurmëve të së kaluarës. Megjithatë, je aty – në Muzeun Arkeologjik të Maqedonisë. Numri i madh i pikturave, që përdoren për të krijuar kontekstin e periudhës së paraqitur, është disproporcional me artefaktet e prezantuara. I veçantë është ilustrimi i Shtëpisë së Pashasë, të cilën nëse e sheh jashtë kontekstit të Muzeut, mendon se bëhet fjale për ndonjë poster të ndonjë filmi erotik. Kulminacioni arrin me reproduksionin e sarkofagut të Lekës së Madh, për të cilin nuk e di se a duhet të qeshësh ose të qash, sidomos nëse lexon pak mbi historinë e tij prej burimeve të pavarura.

Ka akoma më poshtë!

Dhe, kur mendova se kam arritur në fund dhe se më poshtë se kaq nuk shkohet më, qoftë në plotkuptimin e fjalës ose në kuptimin e saj figurativ  drejtohem te shitorja e suvenireve për të blerë ndonjë kartoline. Në këtë mënyrë desha t’e ndjek këshillat e Ekos dhe ta shënoj këtë vizitë, duke ruajtur ndonjë kartolinë ose duke u dërguar ndonjë të tillë miqve të ndryshëm prej vendeve të ndryshme të botës. Kërkoja diçka gjithëpërfshirëse, një kartolinë që do ta ilustronte Maqedoninë plotësisht, një kartolinë ku edhe unë do ta gjeja veten si një person më i vjetër se 29 vjeç, që nuk është pensionist dhe, mbi të gjitha, është shqiptar i cili e paguan hyrjen në muze po aq sa edhe një maqedonas. Por, në asnjërën prej kartolinave nuk e gjeta veten. Diku nuk isha aspak, e diku vetëm në ndonjë skaj të skajit të skajosur.

Atëherë filluan të më vijnë ndër mend muhabetet e pasdarkes të akademiko-politikanëve të ndryshëm, duke më thënë se Maska e artë e Trebenishtit në fakt është maskë ilire. Andaj më erdhi të vjell. Vendosi të blej prej secilës kartolinë nga një ekzemplar. Këtë herë nuk kam ndërmend t’i dërgoj jashtë shtetit, por brenda shtetit. Kam disa persona të cilëve dua t’ua dërgoj edhe t’ua bëj me dije se, përderisa vazhdojnë të llafosin për maskat Ilire, 18% i tatimeve të bashkëkombësve të mi, në veçanti, investohen në institucione të këtilla të trashëgimisë. I harxhoj edhe 200 denarë të tjera në kartolina dhe pulla postare, që çmimi i hyrjes sime të jetë sa çmimi i një të huaji në vendin që dikur ishte edhe i imi.

 

PS: Fotografitë e përngjitura të kartolinave të ndryshme janë të vendosura pa respektuar të drejtat autoriale, thjesht i frymëzuar nga qasja që ky shtet ka ndaj meje kur i investon të hollat e mia në prodhimin e kartolinave të cilat nuk më përfaqësojnë dhe mua.