Lajme

SHBA, BE e Shqipëria kundër Ivanovit, Rusia i del në mbrojtje

Ambasadori amerikan në Maqedoni, Jess L. Baily, i ka bërë thirrje presidentit Ivanov që edhe njëherë ta shqyrtojë vendimin për mosdhënien e mandatit. Kundër kësaj deklarate është edhe Tirana, por në mbrojtje i ka dal Moska

Vendimi i djeshëm i presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, që mos t’ia jap mandatin liderit opozitar Zoran Zaev për shkaka të zyrtarizimit të gjuhës shqipe, ka nxitur reagime edhe nga diplomatët e huaj të akredituar në Shkup. Ambasadori amerikan në Maqedoni, Jess L. Baily, i ka bërë thirrje presidentit Ivanov që edhe njëherë ta shqyrtojë vendimin për mosdhënien e mandatit.

Baily u shpreh se deklaratën e jep si përfaqësues i partnerëve strategjikë të Republikës së Maqedonisë dhe si miq të cilët e respektojnë plotësisht sovranitetin dhe integritetin e Maqedonisë.

Baily njëherësh iu bëri thirrje fqinjëve të Maqedonisë që të tregohen të përmbajtur dhe të jenë konstruktiv, në këtë moment, siç u shpreh, shumë të ndjeshëm politik, citon INA. Baily gjithashtu ka theksuar se SHBA-të mbrëmë janë dëshpëruar kur mësuan se Ivanovi nuk i ka dorëzuar mandatin Zaevit, për t’i dhënë kështu mundësinë që të formojë qeveri.

Diplomati amerikan në Shkup, ka shprehur shqetësimin e tij për gjendjen aktuale në Maqedoni. Për mes një statusi në “Tweeter” ai thotë se pajtohet me deklaratën e eurokomisarit Johanes Han i cili e kritikoi vendimin e presidentit Ivanov mos ia dhënë mandatin Zoran Zaevit. “Maqedonia largohet nga parimet demokratike dhe sundimi së drejtës, të cilat janë vlerat themelore të NATOS”, tha ai.

Por, derisa BE e SHBA kanë dalë kundër deklaratës së presidentit Ivanov, është Ministria e Jashtme e Rusisë e cila i ka dalë në mbrojtje presidentit maqedonas. Duke reaguar për zhvillimet e fundit, nga Moska thonë se kriza politike në Maqedoni, e shkaktuar nga ndërhyrja e jashtme në çështjet e brendshme të vendit, po thellohet.

“Duam të theksojmë se në Maqedoni në zgjedhjet e 11 dhjetori të vitit 2016, me insistim të BE-së dhe ShBA-së u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare në të cilat fitoi partia në pushtet në krye me Nikolla Gruevskin. Tani perëndimi me ndihmë të minoritetit shqiptare dhe kërkesat e tyre, o tentojnë që në në Shkup në pushtet ta vendosin opozitën, e cila sjell deri në erozion të themeleve kushtetuese në vend”, thuhet në reagim.

Nga ministria ruse kanë shtuar se këto tentime destruktive të jashtme që janë në kundërshtim me vullnetin e votuesve maqedonas mund ta përkeqësojnë situatën. Sipas tyre, është e domosdoshme që të ndërpritet ndërhyrja e huaj në punët e brendshme të Maqedonisë, citon Shenja.

Reagime sërish ka ardhur edhe nga Tirana zyrtare. Pas kryeministrit Edi Rama ka reaguar kryeparlamentari Ilir Meta, i cili ka shprehur keqardhjen për retorikat nacionaliste anti-shqiptare të cilat cenojnë harmoninë dhe bashkëjetesën ndër-etnike – si garanci për stabilitetin e vendit fqinj.

Ai ka shprehur shqetësimin për situatën e rënduar politike në Maqedoni dhe ka inkurajuar të gjitha forcat politike në vendin fqinj për qetësi, përgjegjshmëri dhe konstruktivitet.

“Dëshiroj të shpreh gjithashtu keqardhjen për retorikat nacionaliste anti-shqiptare të cilat cenojnë harmoninë dhe bashkëjetesën ndër-etnike – si garanci për stabilitetin e vendit fqinj. Shpresoj që gjithë aktorët institucionalë dhe politikë të tregojnë përkushtim për progresin demokratik dhe euro-atlantik të Maqedonisë”, ka thënë Meta.

Ndërsa përfaqësuesja e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Federika Mogerini, ka kërkuar nga presidenti Ivanov që të tërheq vendimin e tij dhe në pajtueshmëri me kushtetutën e vendit, mandatin t’ia ndajë liderit të partisë që ka shumicën parlamentare. Ajo tha se vendimi I Ivanovit është në kundërshtim me vlerat demokratike dhe të NATO-së dhe e ka futur vendin në një krizë të thellë.

“Kërkoj nga presidenti që të reflektojë në vijim dhe të rishqyrtojë vendimin në interes të të gjithë qytetarëve të vendit dhe siç thotë Kushtetuta, t’ia dorëzojë mandatin liderit të partisë që ka shumicën parlamentare. Kjo është kushtetuta e vendit dhe ne e respektojmë atë. Të gjithë liderët partiak dhe të gjithë ata që kanë përgjegjësi institucionale kanë për detyrë të përmbahen nga retorika duke shmangur që kjo krizë politike dhe institucionale të bëhet konflikt ndëretnik”, tha Mogerini.