Shkurt.ch

Shtyhet për më vonë ndryshimi i statusit të të huajve me “Vizën F”

Senati ka angazhuar komisionet e veta që fillimisht për këtë të marrin qëndrimet e përfaqësuesve të kantoneve, qyteteve dhe komunave

Dhoma e Kantoneve e Parlamentit të Zvicrës (Senati)e ka shtyrë për afat të pacaktuar vendimin e pritur për ndryshimin e  statusit të pranimit të përkohshëm për azilkërkuesit (Viza F), shkruan sda.ch. Ajo ka angazhuar komisionet e veta që fillimisht për këtë të marrin qëndrimet e përfaqësuesve të kantoneve, qyteteve dhe komunave.

Vetëm pasi të jetë kryer kjo, senati do të vendosë nëse do të krijohet një status i ri për personat që nuk e fitojnë azilin por të cilët po ashtu nuk mund të kthehen në vendet e prejardhjes, transmeton albinfo.ch

Dhoma e përmendur, e ka votuar mocionin përkatës të deputetit të SVP-së, Hans Germann, me 32 vota pro, 9 kundër dhe 4 të përmbajtura, transmeton albinfo.ch.

Më parë, Dhoma Nacionale e Parlamentit, ashtu si dhe Bashkësia e Qyteteve dhe ajo e Komunave, ishin deklaruar me shumicë për të krijuar një status të ri për personat e pranuar përkohësisht. Nga ana tjetër, komisioni i Dhomës së Kantoneve ishte shprehur kundër kësaj. Parlamenti nuk duhet të shpërfillë qëndrimet e faktorëve të prekur drejtpërdrejtë, siç janë kantonet dhe komunat, ka argumentuar Germann.