Sport

Skënderbeu në Beograd, masa të rrepta sigurie

Për ndeshjen e së enjtes janë instaluar 90 kamera sigurie dhe janë angazhuar 700 policë që do të ruajnë rendin dhe do të ofrojnë sigurinë në stadium

Skuadra e Skënderbeut arriti në Beograd për sfidën e kësaj të enjteje me Partizanin e Beogradit e vlefshme për grupet e Ligës së Evropës.

Tre vjet pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, pritja e një skuadre shqiptare në Beograd ishte sërish nën masa të rrepta sigurie dhe pse këtë herë mungonin forcat ushtarake.

Bashkë me ekipin, në delegacionin prej rreth 50 personash, udhëtuan drejt Beogradit dhe shtatë policë privatë dhe dy efektivë të policisë së shtetit, për të bërë më të sigurt qëndrimin e ekipit korçar në kryeqytetin e Serbisë, raportojnë mediat shqiptare.

Në aeroport u vunë re forca të shumta policore, ndërsa ekipi u shoqërua drejt hotelit gjatë gjithë rrugës nga policia vendase, përcjell albinfo.ch.

Skuadra është akomoduar në hotelin, “Crowne Plaza”, që gjithashtu është i rrethuar me forca të shumta policie. Sa i përket takimit, për ndeshjen e së enjtes janë instaluar 90 kamera sigurie dhe janë angazhuar 700 policë që do të ruajnë rendin dhe do të ofrojnë sigurinë në stadium, ndërsa klubi i Partizanit u ka bërë disa herë thirrje tifozerisë së tij, që të evitojnë koret raciste dhe të respektojnë kundërshtarët, ashtu siç bënë ata në ndeshjen e parë në “Elbasan Arena”.