Lajme

Presion për themelimin e Gjykatës Speciale për UÇK-në

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të mërkurën në seancë plenare për të shqyrtuar dhe miratuar themelimin e një gjykata të veçantë për t’i hetuar krimet eventuale të UÇK-së

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të mërkurën për t’i shqyrtuar dy çështjet që konsiderohen më të ndjeshme të kësaj legjislature: ndryshimin e pakova ligjore që ia zgjasin jetën EULEX-it edhe dy vjet, dhe themelimin e një gjykata të veçantë për t’i hetuar akuzat e raportuesit zviceran në Këshillin e Evropës, Dik Marty.

 

Derisa për pikën e parë ekziston një marrëveshje ndërmjet grupeve parlamentare për ta mbështetur, çështja e themelimit të gjykatës së veçantë për t’i hetuar krimet e pretenduara nga UÇK, konsiderohet “patatet e nxehtë”. Kjo për faktin se deputetët që kanë bagazh lufte, kanë thënë se do të votojnë kundër gjykatës.

 

Megjithatë, një ditë para seancës plenare, lidershipi institucionalë, por edhe diplomatët ndërkombëtarë, kanë kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’i miratojnë këto dy pika të rendnit të ditës, të cilat kërkojnë dy të tretat e deputetëve, 80 nga 120 sa ka Kuvendi.

 

Kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar nga ligjvënësit që ta miratojnë ndryshimin e pakove që lidhen me EULEX-in, por duke i përmendur këtu edhe themelimin e Forcave të Armatosura, por edhe Gjykatën për UÇK-në.

 

Edhe pse për këtë të fundit Thaçi tha se është ofendim për popullin e Kosovës, kërkoi që të miratohet.

 

Një kërkesë në drejtim të Kuvendit të Kosovës ka ardhur edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

“Ne tash apelojmë në anëtarët e Kuvendit të Kosovës që të mbajnë këtë momentum duke miratuar krijimin e një gjykate të Kosovës për t’u marrë me pohimet serioze nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2010. Bota është duke shikuar për të parë a është Kosova e përkushtuar për një proces juridik që me paanshmëri mund ti zgjidhë këto pohime përfundimisht”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.

 

Për të ecur përpara Kosova, sipas kësaj ambasade, duhet të merret me këto pohime.

 

“Dështimi për të krijuar këtë gjykatë do t’i detyrojë trupat tjera ndërkombëtare që të merren me këto pohime. Kjo do t’i bëjë dëm të pamatshëm imazhit të Kosovës dhe aspiratave të saja Euro-Atlantike”, thuhet më tej në deklaratë.

 

Anëtarët e Kuvendit, sipas të njëjtit reagim, do t’i shërbejnë më së miri interesave të Kosovës duke qenë të përkushtuar për një proces juridik kredibil juridik që është i pranueshëm për bashkësinë ndërkombëtare” 

 

“Ambasada e kupton se kjo është një çështje e ndjeshme për Kosovën. Sidoqoftë, ky është një hetim që përqendrohet në individët dhe nuk është gjykim kundër përpjekjeve kolektive të Kosovës për çlirim. Krijimi i kësaj gjykate është opcioni më i mirë për mbylljen e këtij kapitulli të historisë së Kosovës”, përmbyllet deklarata.

 

Edhe lideri i opozitës, Isa Mustafa tha se Kosova duhet ta themeloj Gjykatën Speciale për krime lufte, ose në të kundërtën, atë do ta themelojë Këshilli i Sigurimit i OKB-së përmes një rezolute e që pastaj, sipas tij do të ishte e pamundur që kjo gjykatë të shpërbëhet.

 

“Çështja e Gjykatës Speciale është vënë si çështje e cila nuk negociohet shumë si çështje, ose do ta bëjë Këshilli i Sigurimit të OKB-së me propozim të Rusisë, ose do të bëhet në Kuvendin e Kosovës. Nëse bëhet në Këshillin e Sigurimit, ajo bëhet me një rezolutë dhe pastaj nevojitet një rezolutë tjetër për ta zhbërë atë”, deklaroi Mustafa.

 

Ndryshe, themelimi i kësaj gjykata është kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare, pas akuzave që ka bërë zvicerani Dick Marty në Këshillin e Sigurimit. Ai ka akuzuar ish-pjesëtarët e UÇK-së për vrasjen e serbëve dhe transplantimin e organeve në Shqipëri gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

 

Pasi të miratohet Gjykata Speciale për UÇK-në, pakoja ligjore për EULEX-in dhe themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, Kuvendi i Kosovës pritet të shpërbëhet dhe Kosova të shkojë në zgjedhje të reja, të cilat pritet të mbahen në fund të majit ose në fillim të qershorit.