Integrimi

Rritet numri i nxënësve: A po këndellet LAPSH-i?

LAPSH ”Naim Frashëri” në Zvicër, në Kuvendin e saj të punës konstatoi një rritje të konsiderueshme të vujueshmërisë së nxënësve këtë vit

Më 21 shtator 2014 në Wynau, Bernë, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër mbajti Kuvendin e saj të rregullt të punës. Në punimet e Kuvendit, përveç mysafirëve të tjerë, mori pjesë edhe përfaqësuesi nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë i Republikës së Kosovës, Nuhi Gashi, Zyrtar i mësimit plotësues në diasporë.

Në Kuvend morën pjesë mësues të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, koordinatorë kantonal ku mbahet mësimi shqip. Munguan përfaqësues të kantoneve Neoshatel, Gjenevë dhe Bazel.

Gashi përshëndeti  mësimdhënësit dhe gjithë koordinatorët e pranishëm të shkollave me mësim plotësues, i përgëzoi për punën e palodhur që po bëjnë për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe për të dëftuar e ruajtur identitetin dhe dinjitetin kombëtar shqiptar, duke mbjellë tek fëmijët tanë, krahas dijes themelore për kulturën dhe historinë tonë, edhe dashurinë për vendin nga kanë ardhur.

Ministria e Arsimit e Shkencës dhe Teknologjisë, me Ministrinë e Diasporës vazhdon bashkëpunimin për mbështetjen e mësimit shqip që zhvillohet në diasporë. Ky bashkëpunim i nisur dhe i jetësuar prej vitesh në bashkorganizimin e seminareve të përvitshme trajnuese me mësuesit e diasporës dhe pajisjen e shkollave shqipe të Mësimit plotësues  me tekste dhe materiale mësimore, tani ka marrë një dimension të vërtetë gjithëpërfshirës. Ndër të tjera kërkoi të përkrahet edhe konkursi i diturisë me nxënës të mësimit plotësues si formë e mundshme e organizimit pas njësimit të mësimit plotësues me tekste të reja mësimore.

Kryetari i LAPSH-it, Nexhat Maloku paraqiti një raport pune për periudhën pas kuvendit të fundit zgjedhor qershor 2013 – shtator 2014. Në raport u bë fjalë për mbajtjen e mbledhjeve të  rregullta në Gjenevë, Bernë e Cyrih, për bashkëpunimin me Këshillat Kantonale të LAPSH-it i cili ka rezultuar me vizitat e punës në shkollën shqipe në kantonin Vaud, në Turgau, në Schwic, Argau, në Martigny e në Valis. Pastaj në raport është kërkuar aktivizimi i faqes www.lapsh.ch., bashkëpunimi me institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, ai me institucionet përkatëse zvicerane si dhe bashkëpunimi me mediet dhe shoqatat tjera shqiptare në Zvicër dhe më gjerë.

Një raport të hollësishëm financiar e ka paraqitur Nezir Mehmetaj, që nuk pati vërejtje nga të pranishmit.
Ndër të tjera u theksua se në ngritjen e vijueshmërisë së nxënësve ka ndikuar pajisja e nxënësve me tekste shkollore dhe vërehet një ngritje e vetëdijes së prindërve për rëndësinë e mësimit plotësues të gjuhës amtare.

Në kuvend, secili përfaqësues i shkollës shqipe paraqiti gjendjen organizative, rezultatet dhe vështirësitë e mësimit plotësues. Është për ta marrë model organizimin e mirë të shkollës shqipe në Thurgau nën drejtimin Nexhat Hysenit. Ai me mbështetjen e drejtorive të shkollës zvicerane ka mbajtur disa mbrëmje me prindër shqiptarë me temë rëndësinë e gjuhës amtare për fëmijët në mërgim. Puna me prindër nuk ishte pa suksese, nga 54 nxënës sa kishte shkolla një vit më parë tani ka 178 nxënës me 7 mësimdhënës.
Mungesë të teksteve shkollore paraqitën kantonet Thurgau, Vaud dhe Schwic. Ndërsa Isni Idrizi nga Vadi kërkoi nga MASHT të bëj një dëftesë të veçantë për shkollën shqipe që nxënësi të marrë vlerësimin e punës së tij në një dëftesë zyrtare, siç e merr çdo nxënës në Kosovë.

Mësimdhënësja Nexhmije Mehmetaj në këtë kuvend shtroi për bashkëbisedim problemet dygjuhësore që hasin fëmijët shqiptarë duke qenë në mesin dygjuhësh. Është me rëndësi që problemet dygjuhësore të institucionalizohen,të artikulohen në nivel shteti. Në mungesë të një katedre të gjuhës shqipe në Zvicër, mësuesit shqiptarë nuk kanë ku t’i paraqesin problemet e fushës sociolinguistike që hasin gjatë arsimit shqip. Ku do të shqyrtohen vështirësitë me të cilat ballafaqohen sot nxënësit dhe mësuesit gjatë mësimdhënies së gjuhës shqipe në kushte dygjuhëshe : shqip – frëngjisht, shqip – gjermanisht, shqip – italisht. Andaj propozon që të bëhen lutje dhe përpjekje për hapjen e një katedre të gjuhës shqipe në një universitet zviceran.

Një propozim tjetër pati rreth mbajtjes së një Konference shkencore për gjuhën standarde shqipe, me temë roli i mësuesve të gjuhës amtare dhe  e ardhmja e gjuhës shqipe në mërgim.
Në kuvend u vendos të organizohen seminare tri ditore në tri qendra të Zvicrës, që do t’i shërbejnë ngritjes së nivelit të procesit mësimor, duke përsosur figurën e mësuesve, në aspektin e rritjes së nivelit të tyre pedagogjik, shkencor dhe metodik. Pra përmes seminareve mësuesi do të përsosë vizionin e një drejtuesi të aftë, i përgatitur dhe i kompletuar që të jetë i suksesshëm në shkollën ku punon.

Në fund  u vendos që këtë vit shkollor të organizohet konkursi i diturisë me nxënës në bashkëpunim me MASHT të Kosovës.

Është koha që Ministria e Arsimit apo Ministria e Diasporës të dorëzojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës një projektligj për mësimin plotësues të gjuhës shqipe jashtë atdheut. Projektligji është detyrim kushtetues i cili rrjedh nga nenet e Kushtetutës së Kosovës. Në këtë mënyrë mësimi i gjuhës amtare do t`u afrohet të gjithë fëmijëve ku do që janë