E-Diaspora

Festa e Flamurit, mes organizimit të mirëfilltë, biznesit dhe tallavasë

Dita e Flamurit po afrohet dhe shqiptarët në Zvicër nëpërmjet shoqatave kulturore po organizohen ta festojnë këtë ditë historike. Por a është çdo gjë kulturore, apo ka edhe biznes dhe tallava në këto organizime?

Një përafrim dhe bashkëpunim të shoqatave për të festuar së bashku për Ditën e Flamurit ka dashur ta bëjë këtë vit Ministria e Diasporës, gjegjësisht Qendra Kulturore për Mërgatën dhe Diasporën në Zvicër (Cyrih). Ajo organizon një manifestim të përbashkët, ku do të marrin pjesë shoqëri dhe grupe të ndryshme artistike, mbi 18 të tilla.

“Ne kemi organizuar të gjitha grupet dhe shoqëritë artistike që së bashku ta festojmë Ditën e flamurit. Do të jenë mbi 18 shoqëri artistike dhe do të jetë një program i pasur kulturor”, tha për albinfo.ch Shukrie Ramadani, u.d. e drejtoreshës së qendrës në fjalë.

Ajo shtoi se ka gjithmonë përkrahjen e bashkatdhetarëve dhe bizneseve të ndryshme shqiptare në Zvicër, dhe në kësi lloj festash kombëtare bashkëkombësit nuk e shikojnë përfitimin personal.

Shukrije Ramadani: Shumica e restoranteve nuk shikojnë përfitimet e veta
 “Në mënyrën më të denjë më janë përgjigjur dhe kanë ofruar çmime shumë të volitshme, por edhe në restorantet e ndryshme që i kemi kërkuar që të bëjmë darka tradicionale kanë ardhur me çmimin që ua kemi kërkuar ne. Do të thotë, nuk i kanë shikuar vetëm përfitimet e tyre, por kanë dashur që vërtet të dalin përballë bashkatdhetarëve që dëshirojnë të festojnë me një çmim të arsyeshëm. Në emër të festave kanë hequr dorë nga përfitimi”, shtoi më tej znj. Ramadani.

Mirëpo a po arrin kjo qendër t’i bëjë bashkë të gjitha shoqëritë artistike për festën e 28 Nëntorit?

Drejtori i shkollës së muzikës “Jehona” në Rorschach, Murat Avdiu, thotë se edhe pse ka qenë i interesuar për pjesëmarrje në manifestimin e 28 Nëntorit, një gjë e tillë nuk i është ofruar nga organizatorët.

“Ne kemi shprehur interesim, mirëpo askush deri më sot nuk më ka bërë ftesë dhe nuk ma ka hapur telefonin për ndonjë njoftim për festë kombëtare. Unë kam shprehur dhe shpreh gjithmonë gatishmërinë për bashkëpunim, e sidomos për festa kombëtare. Krejt problemi është te paraqitja e një shoqate me sa më shumë program para publikut. Kështu, nëse ne si shkollë e muzikës shqipe “Jehona” na fusin në program, atëherë ata duhet ta shkurtojnë programin e tyre për festë. Unë jam në gjendje të bashkëpunoj deri sa të jetë edhe shqiptari i fundit në Zvicër”, tha Murat Avdiu.
 
Përveç kësaj, Avdiu thotë se ka shoqëri që dëshirojnë të përfitojnë nga festat kombëtare.

Avdiu: Disa shoqata “nuk e luajnë hapin” pa i paguar


“Ka shoqata të tjera që duan të përfitojnë nga festat dhe pa përfitim “as hapin nuk e luajnë”. Festat kombëtare duhet të organizohen me këngë e valle kombëtare dhe “organizimi duhet të ketë dallim nga diskotekat dhe klubet e natës me muzikë tallava. Dikush organizon program për interesa, duke e shfrytëzuar rastin për 28 Nëntor”, tha Avdiu.

Një mendim të ngjashëm në lidhje me punën e shoqatave shqiptare që bëjnë sidomos gjatë festave kombëtare e ka edhe kryetari i Shoqërisë Kulturore Artistike “Teuta” nga Lozana, Gani Fazliu. Ai thotë se një pjesë e shoqërive kulturore shqiptare në Zvicër nuk e meritojnë as të ekzistojnë si të tilla.

“Ka shoqëri shumë të mira, por fatkeqësisht ato janë shumë pak. Thënë sinqerisht, një pjesë e madhe prej tyre nuk e meritojnë as të ekzistojnë, sepse më tepër janë shkatërruese të folklorit, sesa që po kontribuojnë diçka. Është shumë mirë që Ministria ka bërë kësi organizimi dhe po i bën bashkë shoqatat, por duhet të ketë kuadër dhe organizimi duhet të bëhet nga njerëz kompetentë”, thotë kryetari i Shoqërisë Kulturore Artistike “Teuta” nga Lozana, Gani Fazliu.

Cakolli: Ka edhe shoqëri që angazhojnë këngëtarë me muzikë “tallava” për manifestimet kombëtare
 
Kryetari i SHKA “Dardania” të Winterthur-it, Shefqet Cakolli, organizimin e përbashkët të shoqatave shqiptare për festa kombëtare e sheh si një punë shumë pozitive. Por, ai shpreh edhe shqetësimin që disa shoqëri kanë filluar të sjellin këngëtarë të muzikës “tallava”, të cilët nuk kanë për qëllim kënaqësinë e bashkatdhetarëve tanë, por përfitimin nga situata.

“Është e vërtetë dhe kjo dukuri ka qenë edhe me përpara. Mund të them lirisht që përfitimet ose shfrytëzimi i situatës, e sidomos i festave kombëtare për interesa personale, kohët e fundit është edhe më i theksuar në Zvicër.
Ne si shoqatë “Dardania” deri më tash, qe 20 vjet në organizimet tona, asnjëherë nuk kemi marrë asnjë cent. Tash çohen disa këngëtarë dhe me tallava i mashtrojnë apo i manipulojnë disa klube e shoqata për qëllime personale fitimprurëse”, thotë Cakolli, duke shtuar se me keqardhje disa shoqëri simotra kanë devijuar duke shikuar përfitimin.

Unë nuk jam ai që vë kushte për shoqëritë se çka duhet të bëjnë, por është shteti që tashmë ka filluar organizimin e manifestimit të përbashkët që do të mbahet tash në dy qendra kryesore në Zvicër. Ma merr mendja që kjo do t’i zbehë organizimet e tjera që mbahen për qëllime përfitimi”, shtoi Shefqet Cakolli.

Festa e 28 Nëntorit dhe ajo e pavarësisë së Kosovës, 17 Shkurti, janë dy festat që te shqiptarët në Zvicër, por edhe më gjerë në Diasporë, festohet me javë të tëra. Ka organizime të ndryshme nga shoqata dhe shoqëri kulturore të ndryshme, por edhe klubet, restorantet dhe diskotekat shqiptare nuk i lënë këto festa anash, duke bërë kështu që disa javë më herët të ketë një reklamë të fuqishme në rrjetet sociale dhe medie për ofertat dhe organizimet e ndryshme për këto festa.

Visar Kryeziu