Jeta në Zvicër

Iniciativë e re e SVP/UDC-së në fushë të azilit

“Askush nuk mund të fitojë azilin në Zvicër nëse këtu ka hyrë përmes një vendi të tretë, të sigurt"

SVP/UDC planifikon edhe një iniciativë të re në fushë të migracionit. Kjo parti është duke e përpunuar idenë për iniciativën me të cilën kërkohet kufizimi i mëtejmë i numrit të azilkërkuesve në Zvicër. “Askush nuk mund të fitojë azilin në Zvicër nëse këtu ka hyrë përmes një vendi të tretë, të sigurt”, ka deklaruar për gazetën “SonntagsZeitung” shefi i grupit parlamentar të SVP-së në Parlamentin Naxcional të Zvicrës, Adrian Amstutz.

“Të huajt të cilët kanë hyrë në Zvicër nga një shtet i sigurt fqinj, në rast se nuk janë të përndjekur nga ai vend, mund të kalojnë vetëm nëpër procedurën e dëbimit nga Zvicra”, ka thënë Amstutz, duke menduar se këta të huaj, refugjatë, nuk duhet të kenë fare të drejtë të hyjnë në procedurë për kërkim të azilit.

“Ai që me të vërtetë e ka jetën në rrezik, do të kërkojë azil në vendin e sigurt më të afërm, që të mund të kthehet shpejt sërish në vendin e tij”, ka shtuar Amstutz.

Edhe luftimi i trafikut me qenie njerëzore është sipas dputetit të SVP-së një nga qëllimet e këtij kufizimi. Ai ka thënë se në këtë drejtim, hap i qëlluar është ndihma e OKB-së për vendet fqinje të sigurta  të shteteve të përfshira nga konfliktet.

“Kjo u shërben më të varfërve dhe jo atyre që kanë mundësi të paguajnë kontrabandistët për udhëtimet e shtrenjta.

Amstutz nuk ka treguar se kur do të fillojë mbledhja e nënshkrimeve për iniciativën e përmendur, të paralajmëruar shumë më herët, për t`u realizuar madje në vitin 2013.

Deputeti i SVP-së ka kritikuar ministren e drejtësisë, Simonetta Sommaruga për paaftësi. Sipas tij, ajo nuk merr masa që azilkërkuesit me status të refuzuar të dëbohen nga vendi ose që shtetet si Italia ose Greqia t`u përmbahen detyrimeve të tyre.