Jeta në Zvicër

Stéphane Rossini, kryetar i ri i Parlamentit

Posti i kryetarit të Dhomës Nacionale (ose Dhomës së Madhe) të Parlamentit të Zvicrës konsiderohet si posti më i lartë në institucionet e vendit

Dhoma Nacionale e Parlamentit të Zvicrës prej sot ka një kryetar të ri. Ai është politikani temperament 51 vjeçar i Valisit nga Partia Socialdemokrate, Stéphane Rossini. I posazgjedhuri me këtë hap e kurorëzon karrierën e tij si deputet ne katër legjislatura i Parlamentit të Zvicrës.

Duke qenë se ai, pas 16 vitesh deputet nuk e ka ndërmend që të kandidojë më për zgjedhjet nacionale që mbahen në vjeshtën e vitit të ardhshëm, ai konsideron se  do të jetë më i lirë për të ushtruar detyrën e re gjatë një viti sa i zgjat mandati.

“Do të jem një president i padukshëm”, ka thënë ai sot me rastin e prezantimit para medieve. Rossini është shprehur i gëzuar që me detyrën e tij të re, përfaqësuese, në vend dhe jashtë vendit do ta “përmbushë e jetë demokracinë zvicerane”.

Nga 186 deputetët sa votuan, 170 vota shkuan për presidentin e ri, 5 vota ishin kundër, ndërsa 9 të pavlefshme.

Me zgjedhjen e kryetarit, që formalisht konsiderohet si posti më i lartë në Zvicër, janë zgjedhur edhe dy nënkryetarët. Politikania e FDP/PLR, Christa Markwalder është nënkryetarja e parë ndërsa Jürg Stahl nga SVP/UDC, nënkryetari i dytë.

Rosini ka zënë vendin e deputetit të CVP/PDC, Ruedi Lustenberger.