Shkurt.ch

Probleme rrjeti gjatë verës në telefoninë mobile të Zvicrës

Shkak për këto çrregullime është ndryshimi i frekuencave të telefonisë mobile në kompanitë përkatëse: Swisscom, Sunrise dhe Orange

Ata që gjatë katër javëve të ardhshme kanë punë me telefonata dhe surfime në internet gjatë natës, në Zvicër, mund të përballen me probleme të shpeshta në rrjet. Shkak për këto çrregullime është ndryshimi i frekuencave të telefonisë mobile në kompanitë përkatëse: Swisscom, Sunrise dhe Orange. 

Megjithëkëtë, shumica e përdoruesve të telefonave dhe tabletave nuk do të pengohen nga ndërrimi i përmendur. Sipas Zyrës Federale për Komunikacion (BAKOM) ndërrimi i fundit i ngjashëm i frekuencave pati kaluar pa probleme.

Ndryshimi i frekuencave do të bëhet në mes 21 korrikut dhe 16 gushtit, çdo herë vetëm natën.

Me rastin e shitjes së të gjitha frekuencave të telefonisë mobile, që është bërë në shkurt të vitit 2012 është bërë një ndarje e re e tyre. Për këtë arsye, disa frekuenca në të ardhmen nuk do të mund të shfrytëzohen nga të njëjtit operues sikur më parë.

Tre operatorët e mëdhenj, konkurrentë në këtë fushë: Swisscom, Sunrise dhe Orange pritet të kenë bashkëpunim të ngushtë në këtë operacion. Synimi i të treve është që të kënaqin kërkesat në rritje për shërbime moderne dhe me teknologji të re të telefonisë mobile.