Shkurt.ch

Takim i ministrave të brendshëm të vendeve gjermanofone

Krahas Sommarugës marrin pjesë Thomas de Maiziere (Gjermania), Johanna Mikl-Leitner (Austri), Thomas Zwiefelhofer (Lihtenshtajn) dhe Etienne Schneider (Luksemburg)

Ministrja e drejtësisë dhe policisë Simonetta Sommaruga pret sot dhe nesër (23/24 tetor) homologët e saj nga vendet gjermanishtfolëse, si Gjermania, Austria, Lichtenshtajni dhe Luksemburgu. Zvicra është këtë vit mikpritëse e takimit pesëpalësh të ministrave të brendshëm të vendeve gjermanishtfolëse. Ata do të debatojnë mbi temat aktuale të sigurisë dhe migracionit dhe do të vizitojnë qendrën testuese për procedurë të shpejtuar të azilit në Cyrih.

Krahas Sommarugës në takim marrin pjesë Thomas de Maiziere nga Gjermania, Johanna Mikl-Leitner (Austri), Thomas Zwiefelhofer (Lihtenshtajn) dhe Etienne Schneider (Luxemburg), thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Drejtësisë dhe policisë.

Ata do të debatojnë mbi sfidat e përbashkëta dhe do të propozojnë zgjidhjet.

Ndër temat e debatit të ministrave do të jetë edhe ajo e xhihadistëve që shkojnë nga vendet e përmendura, dhe sidomos për sfidën me rastin e kthimit të tyre nga vendluftimet, si brengë e përbashkët.

Vëzhgimi i postës dhe telekomunikacionit në procedurat penale do të jete po ashtu temë e takimit.

Në fokus do të jenë edhe zhvillimet lidhur me lirinë e lëvizjes. Ministrja Sommaruga do të informojë homologët e saj lidhur me gjendjen aktuale të jetësimit të rregullave të reja mbi migracionin (neni 121a BV).

Edhe gjendja e jashtëzakonshme me refugjatët në Detin Mesdhe dhe masat për forcimin e kooperimit të Dublinit si dhe zhvillimet në fushën e azilit në mes të pesë shteteve janë pjesë e takimit. Ditën e dytë të premetne ata do të vizitojnë qendrën testuese për procedurë të shpejtuar të azilit në Cyrih, përfundon komunikata.