Jeta në Zvicër

Zhvillimet në Gazë, rrisin frikën nga antisemitizmi në Zvicër

Kryetari i Bashkësisë së orgaanizatave hebrenje në Zvicër me këtë rast ka kërkuar më tepër punë në parandalimin e racizmit, antisemitizmit dhe urrejtjes ndaj të huajve

Përshkallëzimi i dhunës në Gaza në mes të Hamasit dhe Izraelit ka tensionuar situatën edhe në shtetet e perëndimit, kudo ku jetojnë hebrenj. Gjithandej organizohen manifestime protestuese kundër Izraelit, ku nuk mungojnë edhe thirrjet antisemitiste.

Ndonëse në Zvicër manifestimet e tilla kanë kaluar më të qeta, ato dhe deklarimet agresive në rrjetet sociale kanë shqetësuar komunitetin hebraik në këtë vend. Kështu, Bashkësia e  shoqatave të Hebrenjve të Zvicrës (SIG) ka bërë kallëzime penale kundër një numri personash .

Kryetari i kësaj bashkësie, Herbert Winter me këtë rast ka kërkuar më tepër punë në parandalimin e racizmit, antisemitizmit  dhe urrejtjes ndaj të huajve, shkruan nzz.ch. Këto, sipas tij, viteve të fundit janë lënë pasdore. Ai kërkon edhe nga qeveria e vendit  që të marrë pozicion të prerë kundër nxitjes së racizmit dhe antisemitizmit.

Sipas përfaqësuesve religjiozë të hebrenjve edhe shtimi i ndikimit të lëvizjeve islamike  është shkak  për deklarimet e shpeshtuara , të cilat shkojnë aq larg sa që kërkojnë në mënyrë eksplicite përdorimin e dhunës.
Në opinion gjatë këtyre ditëve ka pasur edhe debate rreth asaj se ku është pika e ndarjes në mes të kritikave ndaj veprimeve të shtetit të Izraelit dhe antisemitizmit.