Lajme

Teuta Rugova i jep mbështetje Haradinajt, irriton LDK-në

Në rrjetin social Facebook Teuta Rugova, ka shkruar se drejtuesit e LDK-së nuk duhet të jenë pengesë për formimin e institucioneve të vendit. Ajo ka pritur në shtëpi Ramush Haradinajn  

Koalicioni që ka fituar zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë (PAN) nuk po arrin të bëjë koalicion me partitë e mëdha politike, prandaj mandatari i këtij koalicioni ka filluar të “peshkoj” në partitë tjera. Aktualisht Koalicioni PAN (PDK-AAK-Nisma) dhe pakicat i kanë 59 vota, ndërsa për votimin e qeverisë së re i duhen të paktën edhe dy vota.

Prandaj kandidati për kryeministër nga PAN, Ramush Haradinaj, ka vënë në shënjestër deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, në kuadër të përpjekjeve për sigurimin e votave të nevojshme për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Këto përpjekje politike kanë sjellë mbështetjen e parë verbale që i është dhënë Haradinajt, Teuta Rugova, bija e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, i cili ishte dhe themelues i LDK-së.

Megjithatë, Teuta Rugova nuk ka thënë se do ta votojë apo jo Haradinajn, por i ka bërë thirrje LDK-së që të veprojë siç do të vepronte presidenti Rugova, përkatësisht që të mos bllokohet procesi i formimit të Qeverisë.

I nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj ka vizituar sot familjen Rugova dhe deputeten e zgjedhur Teuta Rugova (LDK). Sipas një komunikate të AAK-së, Haradinaj ka marrë mbështetjen e familjes Rugova, dhe rrjedhimisht edhe të deputetes Teuta Rugova për formimin e Qeverisë.

Në anën tjetër, në rrjetin social Facebook Teuta Rugova, ka shkruar se drejtuesit e LDK-së nuk duhet të jenë pengesë për formimin e institucioneve të vendit.

“Unë kërkoj nga strukturat udhëheqëse të LDK-së, që në Qeverinë e gjerë dhe stabile që po kërkohet nga miqtë tanë të përhershëm, SHBA-të dhe BE-ja, në marrëveshjen e koalicionit, para ndarjes së përgjegjësive qeveritare të vendosen prioritetet për qytetarët e Kosovës, e që janë: formimi i ushtrisë, zgjidhja e problemit të demarkacionit që do të rezultonte me liberalizim vizash, reforma zgjedhore dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Rugova.

Nga koalicioni PAN, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj kishte paralajmëruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se synohen marrëveshje me disa deputetë dhe jo me parti politike jashtë koalicionit PAN. Andaj, pretendimet e Haradinajt që t’i sigurojë mbi 61 vota për formimin e Qeverisë, nuk kanë të bëjnë vetëm me Teuta Rugovën, por edhe deputetë të tjerë.

Ndërkohë, analistët politikë e cilësojnë si jo normale sjelljen e deputetëve, në rast se veprojnë kundër politikave partiake.

Analisti Imer Mushkolaj tha për Radion Evropa e Lirë se veprimet e tilla duhet të quhen me emrin ‘kontrabandë e njerëzve’.

“Mund të tingëllojë vrazhdë, mirëpo nuk ka se ka shprehje tjetër më të përshtatshme. Të paktën kështu mendoj unë, duke pas parasysh se edhe po që se këta deputetë nuk kontrabandohen në subjektin tjetër politik apo kampin tjetër politik”, tha Mushkolaj. Sipas tij, nëse deputetët do të merrnin vendime jashtë qëndrimeve të proklamuara të subjekteve të tyre, atëherë kjo do të mund të interpretohej edhe si keqpërdorim i vullnetit të votuesve.

Kalimet nga një subjekt politik në tjetrin, në këtë kohë, sipas analistit Mushkolajt, mund të ndikojnë negativisht edhe në përbërjen e Qeverisë.

Ndërkaq, Petrit Zogaj, analist dhe drejtor ekzekutiv i organizatës “Fol”, tha për Radion Evropa e Lirë tha se sistemi politik në Kosovë, por edhe rezultatet e zgjedhjeve, po e imponojnë një ‘gjueti’ politike të disa partive dhe deputetëve për të marrë vota që do të mundësonin krijimin e Qeverisë.

Pas deklaratës ës Teuta Rugovës, ka reaguar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i cili u shpreh i bindur se asnjë deputetë i LDK-së nuk do ta votojë Ramush Haradinajn për kryeministër, e madje partia e tij nuk do të bëjë koalicion me PAN-in.

Në rrjetin social Facebook, Mustafa, thotë se  AAK, Nisma, Vetëvendosje, Lista Serbe dhe  komunitetet tjera, gabuan në llogari kur e votuan mocionin për rrëzimin e qeverisë, që ai e quajti reformatore. “Prandaj, mos na lodhni duke na treguar sesi ua dha Rugova mandatin”, shkruan më tej ai.

“Ata që e sulmuan me të gjitha mjetet dhe metodat e dhunës Kryeministrin dhe Qeverinë e drejtuar nga LDK, sot thirren në Ibrahim Rugovën dhe kërkojnë nga LDK dhe deputetët e LDK-së t’ua japin votën për Qeverinë e koalicionit të drejtuar nga PDK. Me çfarë të drejte? Morale? Politike? Etike?”, shkruan Mustafa.

Asnjë nga LDK, sipas Mustafës, që respekton LDK-në dhe që i rri besnik kësaj partie, “nuk do t’ia jap votat koalicionit të drejtuar nga PDK e as Ramush Haradinajt me PDK-në”.

“LDK nuk do të diskutoj me askënd për qeverisjen PAN. Si lider i LDK-së nuk do të marr pjesë as në takimin e ftuar nga Presidenti, sepse konsideroj që takimet e tilla janë të panevojshme dhe se ato po krijojnë hapësirë për huti dhe konfuzion dhe për të blerë kohë për manipulime të ulëta me deputet nga njerëz të caktuar të PAN-it dhe shërbëtorë të tyre”, shkruan Isa Mustafa në rrjetin social Facebook.