E-Diaspora

Tri orë kulturë shqiptare të klasit të parë në Köln

Një ekspozitë skulpturash të Arjeta Miftarit dhe një koncert me muzikë klasike, interpretuar nga Flaka Goranci, shoqëruar me piano nga Desar Sulejmani, në organizim të URACult në Köln

 

Mbrëmja „URACult Classics“ e shoqatës URACult, e cila në program kishte një ekspozitë skulpturash dhe koncert të muzikës klasike, mblodhi shumë mysafirë në Altes Pfandhaus në Köln.
Për herë të parë URACult kishte në program edhe një ekspozitë skulpturash. Ekspozita „Rrugëtimi i hyjneshave“, e skulptores Arjeta Miftari, pas prezantimit në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, vazhdoi rrugëtimin e saj për t’u prezantuar edhe para artdashësve në Köln.
Ata mirëpritën hyjneshat e ekspozuara, sidomos ata të cilët ende nuk e njihnin historinë e „Hyjneshës në fron“, nga e cila ishte inspiruar skulptorja Miftari.
Derisa vizituesit kureshtarë të ekspozitës diskutonin për „Hyjneshën krenare“, për pikëllimin e “Hyjneshës së pikëlluar“ apo për shallin e hyjneshave, në sallën e koncertit kishin filluar përgatitjet e fundit për koncertin „Shndërrimet e shpirtit“ me mezosopranen Flaka Goranci dhe pianistin Desar Sulejmani. Programi i përgatitur nga ta ishte i larmishëm, duke filluar nga veprat e Schumann, Puccini, Strauss e deri te Prenkë Jakova, Gazmend Zajmi e Pirro Çako

Virtuoz në piano ishte  Desar Sulejmani, i cili si dirigjent dhe pianist qe një kohë të gjatë është aktiv në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike. Interpretimi i tij i shkëlqyer i veprave të Thalbert dhe Poulenc u pritën shumë mirë.
Flaka Goranci shkëlqeu  me zërin e saj të bukur dhe me mënyrën e interpretimit të arieve të ndryshme nga më të njohurat. Kush e  dëgjoi atë së kënduari për herë të parë,  e kuptoi se çka mendojnë gazetat vjeneze kur shkruajnë për zërin e saj të mrekullueshëm dhe muzikën e saj fascinuese. Si interpretimet e saj të arieve nga opera të njohura,  po ashtu edhe këngët nga albumi i saj „Albanian Flowers“ lanë mbresa te publiku dhe nga kjo mbrëmje Goranci me siguri se do ketë edhe më shumë adhurues të muzikës së saj në Gjermani. Në qershor ajo do të paraqitet në rolin e Carmen në  “Carmen” pranë operës së Magdeburgut. Paraqitja e Gramoz Gorancit me harmonikë, i cili përcolli Flaka Gorancin në disa këngë i dha një notë edhe më të bukur kësaj mbrëmjeje të veçantë.

Edhe ky organizim i URACult-it u prit shumë mirë nga publiku shqiptaro-gjerman. Falë gatishmërisë e angazhimit të artistëve dhe talentit organizativ të kësaj shoqate kreative, publikut në metropolin buzë Rhein-it  iu dhuruan tri orë kulturë të nivelit të lartë.
Falë organizimeve si ky, në studimin për diasporën shqiptare në Gjermani që organizata GIZ do të prezantojë në javën e ardhshme në tri qytete gjermane, shoqata URACult do të paraqitet si shembull pozitiv i organizimit të diasporës shqiptare me qëllim ndërtimi urash ndërmjet kulturave.

Autor i fotografive: Dash Izairi