Autotech

Veturat e vjetra të Gjermanisë shiten më së shumti në Itali dhe Austri

Gjermania eksportoi një total prej 239,541 vetura të përdorura vitin e kaluar, që është shifra më e lartë që prej vitit 2006

Problemi i veturave me naftë në Gjermani po kthehet në një mundësi për konsumatorët në Itali dhe Austri. Gjermania po eksporton vetura me naftë të përdorura në nivel rekord, ndërkohë që blerësit janë shqetësuar mbi ndalimin e këtyre në shumë qytete për efekte të ndotjes.

Kjo ka shtuar eksportet e veturave me naftë të përdorura në një nivel rekord prej më shumë se 20% vitin e kaluar, sipas hulumtimeve në Gjermani.

Italia dhe Austria ishin blerësit më të mëdhenj në vitin e kaluar, ndërsa shitjet në Kroaci dhe Ukrainë thuajse janë dyfishuar.

Sipas analistëve, perspektiva për motorët me naftë është e keqe në Gjermani.  Blerësit e huaj po përfitojnë nga rënia e çmimeve. Gjermania eksportoi një total prej 239,541 vetura të përdorura vitin e kaluar, që është shifra më e lartë që prej vitit 2006. Italia dhe Austria ishin blerësit më të mëdhenj, në 22,400 dhe 21,600 në mënyrë respektive, shkruan ‘scan’.

Dërgesat në Francë dhe Spanjë u rritën me më shumë se 30%. Kjo rritje e eksporteve të veturave të përdorura nga Gjermania, vjen paralelisht me rënien e veturave të reja. Konsumatorët po zhvendosen te veturat me benzinë, një trend që nisi pas skandalit të Volkswagen në vitin 2015, përcjell albinfo.ch.

Rritja e shitjeve të veturave të përdorura lidhet gjithashtu me vendimin e gjykatës më herët gjatë vitit për të ndaluar këto automjete në disa qytete gjermanë. Në Shtutgart dhe Hamburg është lajmëruar ndalimi i veturave të vjetra me naftë, me qëllim uljen e ndotjes në linjë me rregullat e Bashkimit Evropian.

Sipas analistëve, njerëzit nuk e dinë se si Qeveria do të ndalojë veturat me naftë, kështu që po sigurohen duke mos i blerë. Analistët presin tashmë një zhvendosje drejt veturave elektrike.

Shifrat e Autoritetit Federal të Transportit në Gjermani, tregojnë për dyfishimin e shitjeve të veturave hibride në 13,559 në korrik, duke i dhënë një pjesë tregu prej 4.3%, nga 2.5% që ishte në vitin 2017.