Maqedonia

Zaev i pafajshëm për rastin “Mit-marrje”

Ndryshe, nëse do të shpallej fajtor, Zaevit i kërcënohej dënim me burg prej 1 deri 5 vite

Zoran Zaev është shpallur i pafajshëm në rastin “Ryshfeti”. Gjykata Penale nuk arriti të gjejë faj dhe mori aktvendim lirimi për kërkim të ryshfetit gjatë kohës kur Zaev udhëhiqte me komunën e Strumicës.

“Momenti është traumatik, por jam i lumtur që u shqiptua aktvendim lirimi. Jam i lumtur që më në fund e kam dëshmuar pafajësinë time dhe që kam pritur drejtësi. Ia dëshiroj këtë çdo qytetari të Republikës së Maqedonisë në gjyqësor të pavarur, përmes procedurave transparente siç ishte rasti im në lëndën “Mit-marrja”, deklaroi Zoran Zaev, raporton “Alsat”.

Gjykatësi Darko Todorovski sqaroi se gjatë marrjes së aktvendimin e ka pasur parasysh edhe dëshminë e biznesmenit nga Strumica, Ivan Nikolov i cili denoncoi se Zaevi i ka kërkuar ryshfet, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, për gjykatën deklarata e dëshmitarit ka qenë kundërthënëse dhe irelevante, ndërsa me rikualifikimin e veprës nga “marrje” në “kërkim” të ryshfetit, filmimet nga kabineti i Zaevit nuk u morën për prova. Aktvendimin e lirimit për kryeministrin para disa dite e paralajmëroi edhe Nikola Gruevski, i cili tha se ai do të gjykohet në rastet e Speciales ndaj tij, ndërsa Zaev do të lirohet.

Rasti “Mit-marrja” zhvillohet prej vitit 2015. Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion e ndiqte Zaevin për kërkim të ryshfetit gjegjësisht se nga biznesmeni Ivan Nikolov për legalizim të parcelës ka kërkuar një euro për kishën, një euro për LSDM-në dhe një euro për të personalisht. Zaev gjatë procedurës pohonte se pushteti në krye me VMRO DPMNE-në po i bën kurth që mos t’i publikojë “bombat”. Ndryshe, nëse do të shpallej fajtor, Zaevit i kërcënohej dënim me burg prej 1 deri 5 vite.