Zhvillim

Zvicra mbështet Maqedoninë në sektorin e ushqimit bio

„Zvicra ka mbështetur prej kohësh zhvillimin e përgjithshëm të Maqedonisë, veçanërisht atë të ekonomisë. Si pjesë e kësaj, ne jemi krenarë që jemi ndër mbështetësit e parë të sektorit të ushqimit organik (bio) në Maqedoni për 10 vjet”.

Këtë deklaratë në Shkup e ka dhënë Stefano Lazzarotto, ambasador i Zvicrës në Maqedoni, në inaugurimin e një tregu me produkte bio, që do të jetë i hapur gjatë tërë vitit në “City Mal” në Shkup.

Në hapje morën pjesë figura të shumta publike, ndërsa organizatorët dhe mbështetësit e këtij projekti vërtetuan se dëshira dhe ndërgjegjësimi që të konsumohen produkte organike bio është më shumë se i madh.

Siç raportojnë mediat në Shkup, tregu i parë organik është organizuar nga City Mall në Shkup, në bashkëpunim me programin IME të implementuar nga Swiss Contact dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, e mbështetur nga Ministria e Bujqësisë, e Pylltarisë dhe e Ekonomisë së Ujërave e Republikës së Maqedonisë.