Lajme

​OKB: Ndikimi i pandemisë mund të shkaktojë 45 milionë të varfër në Amerikën Latine

COVID-19 mund të shkaktojë varfëri për 45 milionë persona, të cilët aktualisht figurojnë në klasën e mesme, në Amerikën Latine dhe Karaibe, paralajmëroi sot OKB.

“Në një kontekst pabarazish tashmë të dukshme, nivele të larta pune joformale dhe copëzimit të shërbimeve shëndetësore, popullatat më të prekshme dhe individët janë edhe një herë më të prekurit”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në një deklaratë.

Kombet e Bashkuara presin që niveli i varfërisë të rritet me 7% në vitin 2020, një rritje prej 45 milionë personash, për një total prej 230 milionë të varfërish, që përfaqësojnë 37,2% të popullatës që jeton në Amerikën Latine dhe Karaibe.

Sipas organizatës, ndikimi ekonomik do të jetë gjithnjë e më shkatërrues, ndërkohë që pandemia po ndikon në rajon, që ka parë shtatë vite rritje të ngadaltë dhe ku pabarazitë e thella vazhdojnë, me miliona njerëz pa mbulim mjekësor apo ujë të pijshëm.