Kosova

10 vjet Pavarësi

Kosovës i duhet një brez i ri i politikanëve të pakonsumuar, i cili është i vetëdishëm se në shërbim të kujt është dhe ndaj kujt ka detyrim për të dhënë llogari. Atëherë unë jam shumë e bindur se përparimi nuk do të vonojë edhe 10 vite të tjera

Unë, pas luftës, kam jetuar e punuar mbi 7 vjet në Kosovë dhe gjatë asaj kohe kam dhënë një kontribut në rindërtimin e vendit. Kam qenë aty në kohën kur ministrja jonë e jashtme e asaj kohe, Calmy-Rey në vizitën e saj në Kosovë ishte pjesëtarja e parë e një qeverie të huaj që po angazhohej për pavarësinë e vendit. Isha krenare me faktin se Zvicra po e merrte këtë rol pionieri.

Dhe kur në shkurt të vitit 2008 u bë e qartë se vendi më në fund po shpallte pavarësinë e tij, unë së bashku me familjen time udhëtova për në Kosovë, enkas për të qenë e pranishme në atë ngjarje historike. Ende e kujtoj shumë mirë se si ne, në temperaturën minus 15 gradë, së bashku me mijëra njerëz tjerë festonim te Shadërvani në Prizren bërjen e Kosovës shtet i mëvetësishëm.

Sa i madh ishte gëzimi im për pavarësinë, po aq të mëdha ishin edhe shpresat e mia për shtetin e ri. Para së gjithash unë i dëshiroja Kosovës ngritjen e shpejtë të një sistemi funksional demokratik me politikanë me integritet si dhe zhvillimin social e ekonomik, që do ta çlironte vendin dhe popullin e tij nga izolimi politik.

Qysh atëherë para miqve të mi kosovarë, të cilët, duke mos pasur durim, ankoheshin për mungesën e përparimit, unë u dilja në mbrojtje zhvillimeve duke menduar se kjo gjë do edhe pak kohë. “Se as Zvicra nuk është krijuar për pak vjet”.

Sot, mjerisht edhe mua më ka braktisur ai gëzim dhe ato shpresa. Unë jam e zhgënjyer para së gjithash me elitën politike, e cila i vendos interesat e veta individuale shumë para atyre të popullit, elitë kjo e cila përfiton për xhepat e vet dhe i krijon vetes favore, duke penguar kështu një zhvillim pozitiv dhe hapjen e Kosovës. Por jam e zhgënjyer edhe me popullin, i cili ua jep votën profiterëve të njëjtë dhe në këtë mënyrë nuk e sjell kthesën e nevojshme.

Kosovës i duhet një brez i ri i politikanëve të pakonsumuar, i cili është i vetëdishëm se në shërbim të kujt është dhe ndaj kujt ka detyrim për të dhënë llogari. Një brez i politikanëve të cilët marrin përgjegjësi për vendin e tyre dhe për veprimet e tyre ndërsa të mirën e përgjithshme e vendosin mbi atë personale. Dhe kështu, shpresat e mia të reja për Kosovën qëndrojnë te populli, të cilit, shpresoj t`i ketë ardhur te hunda tashmë mashtrimi i pësuar dhe në zgjedhjet e ardhshme do të votojë për forcat e reja. Atëherë unë jam shumë e bindur se përparimi nuk do të vonojë edhe 10 vite të tjera.

  • Autorja është bashkëdrejtuese e organizatës Solidarsuisse