Kosova

120 ish-deputetë po vazhdojnë t’i marrin pagat, edhe pse Kuvendi jofunksional

120 ish-deputetë të legjislaturës së fundit, të cilët nuk janë legjitim që prej muajit gusht kur është shpërndarë kuvendi, po vazhdojnë t’i marrin pagat e tyre të prej rreth 2 mijë euro në muaj nga Kuvendi i Kosovës edhe pse është jo funksional.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi ka konfirmuar për KosovaPress, se në bazë të ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit dhe rregullores së Kuvendit, ish-deputetët e legjislaturës së gjashtë të kuvendit po i marrin pagat, dhe këtë të drejtë do ta kenë deri në gusht të vitit 2020.“Nëse nuk rizgjidhen deputetë disa prej tyre sërish në legjislaturën e ardhshme, pagat do t’i marrin deri më 27 gusht 2020”, thotë Krasniqi, përcjell albinfo.ch

Përfaqësues nga shoqëria civile thonë se marrja e pagave të majme nga kuvendi jofunksional, tregon që deputetët si ligjvënës janë përkujdesur vetëm për veten e tyre, ndërsa për mijëra qytetarë të cilët mbesin pa punë në sektorin privat nuk kanë krijuar bazë ligjore për përkujdesje shtetërore për ata.

Drejtori ekzekutiv në organizatën “Çohu”, Arton Demhasaj thotë se këto paga janë të përcaktuara me ligj, por për këtë ka argumente pro dhe kundër.

Ndërsa, kuvendi i cili është shpërndarë më 22 gusht, pritet konstituohet pas certifikimit të rezultateve.