Lajme

Gjysma e parë e korrikut thyen rekordet e temperaturave në Zvicër

Temperaturat ishin mesatarisht 4.4 gradë mbi normën, ndërsa në Ticino u regjistruan rekorde historike

Gjysma e parë e korrikut është karakterizuar nga temperatura të jashtëzakonshme dhe mungesë e madhe reshjesh në Zvicër. Sipas MeteoNews, temperaturat në nivel kombëtar ishin mesatarisht 4.4 gradë Celsius mbi mesataren e periudhës 1991–2020, duke tejkaluar edhe rekordin e mëparshëm të regjistruar në korrik të vitit 2015.

Devijimet më të mëdha u regjistruan nga rajoni i Liqenit të Gjenevës, përgjatë Jurës dhe deri në veriperëndim të vendit, ku temperaturat ishin mesatarisht 4.5 deri në 5.5 gradë mbi normën shumëvjeçare. Në majën Dôle, në lartësi 1,678 metra, diferenca arriti deri në gjashtë gradë, transmeton albinfo.ch.

Rekorde të veçanta u shënuan në Ticino. Më 8 korrik, në Locarno-Monti u regjistruan 37.4 gradë, temperatura më e lartë e matur ndonjëherë gjatë muajit korrik që nga fillimi i matjeve më 1935. Ndërkohë, 37.3 gradët në Pianura di Magadino përbëjnë rekord absolut që nga viti 1953.

Edhe numri i ditëve me temperatura mbi 30 gradë ishte jashtëzakonisht i lartë. Lugano dhe Locarno regjistruan tashmë nga 13 ditë të nxehta, ndërsa mesatarja për të gjithë muajin korrik zakonisht është vetëm pesë deri në shtatë ditë. Rekorde të ngjashme u shënuan edhe në Bazel, Gjenevë, Bernë dhe Cyrih.

Përveç vapës, vendi u përball edhe me thatësirë të theksuar. Gjatë dy javëve të para të korrikut, reshjet në Zvicër ishin 65% më të ulëta se mesatarja shumëvjeçare, ndërsa disa stacione nuk regjistruan fare shi. Në shumë zona, kohëzgjatja e rrezeve të diellit ishte 30 deri në 60% mbi normën.

Sipas MeteoSwiss, ky ishte gjithashtu fillimi i verës me numrin më të ulët të rrufeve që nga viti 2015, pasi stuhitë ishin të rralla pavarësisht temperaturave ekstreme.