E-Diaspora

23-vjeçarja Deniza Miftari, krenaria e shqiptarëve në Belgjikë

Deniza Miftari është vetëm 23-vjeçare, por kjo nuk e ka penguar të fitojë zgjedhjet lokale në Belgjikë duke u bërë asambleiste e zgjedhur e komunës së Roseslares, e vetmja kandidate e huaj

Historitë më të vështira në jetë, ndonjëherë kthehen në fitoret më të mëdha dhe në çdo kohë ka gra e vajza shqiptare që frymëzojnë dhe inkurajojnë me përpjekjen dhe kontributin e tyre për një botë më të mirë. Kjo është historia e shqiptares nga Gjilani, Deniza Miftari, që ëndërron të punojë në Kombet e Bashkuara dhe që pak ditë më parë ka arritur të fitojë në zgjedhjet lokale në Belgjikë.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Deniza ka rrëfyer përfshirjen e saj në politikë, motivet dhe forcën brenda saj për të punuar dhe ngritur lart emrin e Shqipërisë.

Deniza është studente dhe në qershor të 2019 diplomohet për shkenca sociale në Fakultetin VIVES në Kortrijk, Belgjikë, ku gjithashtu është kryetare e këshillit studentor dhe anëtare e këshillit akademik dhe bordit të drejtorëve, përcjell albinfo.ch.

Në qytetin e Roeselares ajo është e angazhuar në shumë aktivitete vullnetare në mbështetje të fëmijëve që vijnë nga familjet jofunksionale dhe aktiviteteve tjera duke ndihmuar komunitete të ndryshme në nevojë.

E pasionuar pas politikës përfshirja e saj në politikë, e pastaj edhe në zgjedhje lokale,erdhi pas disa opinioneve që kishte botuar rreth të drejtave të refugjatëve ku i ishte drejtuar Sekretares së shtetit belg për Azil dhe Migracion.

Deniza ka rrëfyer për ATSH se është larguar nga Kosova në vitin 1998, për shkak të luftës me serbët.

E ndjeshme ndaj natyrës, ajo zgjodhi të kandidojë me Partinë e Gjelbër dhe u zgjodh ambientaliste e komunës. Në një status kushtuar të atit të saj, i cili nuk jeton më prej gati 5 muajsh, ajo ka rrëfyer për ATSH-në se çfarë domethënie ka kjo për të.

“Babai im vdiq para 5 muajsh, sepse ai vuante nga sëmundja e kancerit. Ai nuk arriti ta përjetonte fushatën time edhe pse kishte dëshirë të madhe. Kur mori babi diagnozën dhe lajmin e keq që nuk do të shërohej dot nga ajo sëmundje, për mua ishte vendim shumë i thjeshtë: hyra në partinë e gjelbër dhe synova një vend në komunë. Për fat të keq, ai humbi betejën pak para se të fillonte fushata elektorale dhe e bëra zemrën gur për të. Prandaj ia dedikoj këtë fitore babait tim, sepse nëse ai nuk do të kishte pasur besim tek unë, nuk do e ndërmerrja një hap të tillë kurrë. Unë kam qenë shumë e lidhur me babain tim, ai ka qenë në aktivitet gjatë kohës së luftës në Kosovë. Ai gjithmonë ëndërronte që unë të futesha në politikë, sepse kam qenë e përfshirë dhe shumë e ndjeshme ndaj çështjeve si të drejtat e femrave, varfëria, ligje, kombet e bashkuara, ngrohja globale e shumë të tjera”, tha Deniza për ATSH.

Krahas postit që aktualisht mban, ajo është kryetare e Fakultetit ku studion, anëtare e Këshillit Akademik, Kryetare Partisë së Gjelbër dhe anëtare e bordit të drejtorëve të Fakultetit.

Deniza u zgjodh mes 38 kandidatëve dhe vetëm 3 persona u zgjodhën. Kjo ishte hera e parë që e reja shqiptare kandidonte dhe në votime ishte e dyta në renditje.

Tashmë ajo do të ketë të drejtë vendimmarrëse në shtetin belg dhe në të ardhmen do të kandidojë për deputete. Ajo do të gëzojë të drejtën e votës dhe mendimit për qytetin. Gjithashtu, Deniza ka rrëfyer se më herët ka qenë aktiviste e shumë protestave të partive nacionaliste, të cilët nuk i trajtonin refugjatët e Sirisë në mënyrë të drejtë.

Por, si nisi rruga e saj drejt politikës?

Deniza u shpreh për ATSH se krahas faktit se ishte aktiviste në shumë protesta në mbrojtje të të drejtave të njeriut, ajo kishte nisur të merrte këshilla edhe nga një shkrimtar i njohur në Bruksel. Ndërkaq, ajo ishte edhe anëtare e aleancës të të rinjve të qytetit dhe ky ishte momenti i përfshirjes me politikën lokale. Deniza ka treguar se ishin 3 parti që i ofruan mundësinë e kandidimit në këto zgjedhje.

Një tjetër motivim i saj drejt rrugës së politikës lidhet me të rinjtë, ku Deniza ka treguar se dëshiron të jetë një shembull për mënyrën sesi të rinjtë shqiptarë mund të kontribuojnë kudo që ata jetojnë.

“Një nga motivet që më shtynë drejt politikë ka të bëjë edhe më të rinjtë, sepse dua të shoh sa më shumë prej tyre të përfshirë në politikë në të ardhmen. Të rinjtë, gratë dhe sidomos të huajt janë shumë pak të përfaqësuar në organe të rëndësishme sikurse është edhe qeverisja në komuna. Unë kam luftuar gjithmonë për të shprehur mendimin tim dhe ajo çka ëndërroj në të ardhmen është se dua të punoj për Kombet e Bashkuara”.

Gjatë intervistës dhënë për ATSH, Deniza ka ndarë një mesazh të rëndësishëm për të rinjtë e Shqipërisë dhe Kosovës

“Ka shumë rëndësi që të rinjtë e Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe ata në Belgjikë të mos jenë të demotivuar por të shpresojnë në një të ardhme më të mirë. Mesazhi im është që duhet të zgjohen, të ngrihen në këmbë, të luftojnë për drejtat e tyre, sepse e ardhmja është e jona. Ne duhet të vendosim se në çfarë bote do të jetojmë nesër, jo prindërit apo gjyshërit tanë. Për gratë shqiptare kanë një apel. Ju jeni më shumë sesa mendova dhe politika, ekonomia, arsimi, mjekësia ka nevojë për gra. Dua të shoh më shumë gra e vajza të pavarura”.

Shqiptarja ka ndarë edhe planet e së ardhmes

“Kur të diplomohem, ëndërroj që të bëj bashkëpunime mes organizatave belge dhe shqiptare. Me krenari i them vetes shqiptare, edhe pse jetoj në Belgjikë”.

Deniza Miftari diplomohet në qershor të 2019 për shkenca sociale dhe është vajza e madhe e shtëpisë. Ajo ka një vëlla 20-vjeçar.