Kosova

40 vjet burg për shqiptarin në Mal të Zi

Vrau ish-bashkëshorten 19 vjeçe dhe plagosi babanë e saj

Shqiptari, Ilir Gjokaj u dënua me 40 vjet burg për vrasjen e Shejla Bakijës (19-vjeçare) dhe plagosjen e babait të saj Shabanit, të kryer në shtator të vitit 2021, në fushën e Karabushkos në Tuzi, përcjell albinfo.ch.

Gjykata e shkallës së parë në Podgoricë e dënoi Gjokajn me 40 vjet burgim për vrasje të rëndë, katër vjet për vrasje në tentativë dhe plagosje të Shaban Bakijës dhe një vit burg për armëmbajtje pa leje.

Aktgjykimin e shkallës së parë e shpalli kryetari i këshillit, gjyqtari Veljko Radovanoviç, shkruan sot Vijesti.me. Ai në shpjegimin e aktgjykimit tha se Gjokaj e ka vrarë Shejla Bakijën për motive të ulëta dhe egoiste.

Sërgjan Leshkoviç, avokati mbrojtës i Gjokajt, u tha gazetarëve pasi gjykata shpalli vendimin sot, se aktgjykimi është sjellë nën presion dhe se gjykatat i marrin vendimet e tilla lehtë. Ai theksoi se në këtë procedurë nuk është paraqitur asnjë provë e mbrojtjes. Ai shtoi se gjykata i hodhi poshtë të gjitha provat e mbrojtjes.

“Sigurisht që mbrojtja do të parashtrojë ankesë, aq më tepër që çdo kërkesë për paraqitjen e provave është refuzuar. Besoj se provat që i kemi propozuar, nëse do t’i kishim paraqitur, aktgjykimi me siguri do të ishte ndryshe”, përfundoi Leshkoviç.

Avokatja Tijana Zhivkoviç, përfaqësuese e familjes së viktimës, u tha gazetarëve se aktgjykimi është një lloj satisfaksioni për familjen. Ajo beson se aktgjykimi është i bazuar në prova.