Kinema

Yllka Gashi dhe Fahrije Hoti: “Zgjoi”, film që pasqyron një realitet të ashpër

Në prag të shfaqjes së filimit "Zgjoi" në kinematë zvicerane, albinfo.ch ka zhvilluar një bisedë me Fahrije Hotin, gruan, rrëfimi jetësor i së cilës ka shërbyer si bazë për filmin dhe me aktoren kryesore, Yllka Gashi

Duke filluar nga nesër, e enjte, në 18 kinema të Zvicrës gjermane do të shfaqet filmi “Zgjoi” (Hive). Ky film, bashkëprodhim mes Kosovës, Shqipërisë, Zvicrës dhe Maqedonisë ka prapa vetes një listë të gjatë suksesesh. Deri më tani ai ka marrë nëntë çmime të rëndësishme në festivalet ndërkombëtare të filmit. Sigurisht, shpërblimi i tij me tre çmimet kryesore në festivalin e njohur Sundance (SHBA) përbën kulmin e sukseseve të “Zgjoit”. Deri më tash! Sepse nga ai pritet edhe më shumë në një të ardhme të afërt, duke qenë se Kosova e ka nominuar për çmimin Oscar.

Në prag të shfaqjes së këtij filmi në kinematë zvicerane, albinfo.ch ka zhvilluar një bisedë me Fahrije Hotin, gruan, rrëfimi jetësor i së cilës ka shërbyer si bazë për filmin dhe aktoren kryesore, Yllka Gashi.

albinfo.ch: A e kanë përcjellë autoret e filmit realitetin e jetuar nga ju, ose: a e njihni ju veten në këtë film apo mos autoret kanë bërë ndonjë përpunim të thellë?

Fahrije Hoti: Unë e njoh veten komplet në këtë film. Dhe jo vetëm veten por edhe gratë tjera që kanë humbur burrat në luftë por të cilat nuk e kanë pasur guximin që ta marrin fatin në duart e tyre. Mua ma ka imponuar lufta, gjendja familjare, skamja që ta tregoj këtë guxim. Ajo që tregon filmi është rrëfimi komplet jetësor që ka kaluar Fahrija, nga viti 1999 e deri tani.

Albinfo.ch: A ka ndikuar puna juaj si një ndërmarrëse që ka marrë në dorë fatin e saj, në ndryshimin e mentalitetit patriarkal në fshatin tuaj?

F. Hoti: Ka ndikuar sigurisht angazhimi ynë në një masë por na duhet ende punë që këtë mentalitet të nënshtrimit të gruas ta thyejmë në tërësi.

Albinfo.ch: Ka ende provokime si ato që i shohim në film?

F. Hoti: Jo, për fat tani jo sepse tashmë gratë i kanë marrë “frenat” në dorë dhe ndërkohë na janë rritur edhe fëmijët kështu që rezistenca e atyre që na shikonin me përçmim, është dobësuar.

Albinfo.ch: Po puna në ndërmarrjen tuaj si shkon, ka përparime?

F. Hoti: Puna ka rrjedhur mirë. Tani kemi kaluar në një objekt të ri e më të madh, po ashtu e kemi rritur numrin e punëtorëve dhe sasinë e prodhimit. Janë mbi 100 të punësuar dhe ende shtyllën kryesore e përbëjnë gratë e Krushës së Madhe, të mbetura pa burra nga lufta. Por ndërkohë kemi punësuar edhe gra nga Krusha e Vogël dhe nga fshatra tjerë të afërm.

Albinfo.ch: Çfarë pritni nga shfaqja e filmit dhe a mendoni se do të avancojë sensibilizimin për gjendjen e gruas në rrethin ku jetoni dhe?

F. Hoti: Shpresoj që filmi do të tregojë të vërtetën për plagën shoqërore që prezanton dhe po ashtu të afirmojë edhe punën tonë.

Flet Yllka Gashi, aktorja në rolin kryesor, atë të Fahrije Hotit

Albinfo.ch: Yllka Gashi, Sa keni mundur të identifikoheni me figurën e Fahrijes dhe a e keni pasur të lehtë të hyni në karakterin e saj?

Y. Gashi: Nuk e kam pasur të vështirë. Kam qenë e njohur që herët me rastin, që nga viti 2011 pra shumë koha para se të shkruhej skenari e të xhirohej filmi. Po ashtu para se ta njihja zonjën Fahrije, unë “e njihja” ajvarin e prodhuar nga ajo dhe gratë tjera të Krushës, një ajvar që gjithmonë e kam preferuar. Sigurisht, kur e kemi takuar, jemi magjepsur me personalitetin e saj, ngrohtësinë me të cilën na ka pritur. Që nga ajo kohë unë kam jetuar me dëshirën për ta luajtur këtë karakter. Në vitin 2019, kjo, më në fund u bë edhe realitet.

Albinfo.ch: Publiku në Kosovë ju njeh, kryesisht përmes serialeve dhe dramave. A ka qenë ky film përvoja juaj e parë në një film artistik të metrazhit të gjatë?

Y. Gashi: Ky ka qenë filmi i dytë në të cilin kam luajtur unë, pas atij “Kukumi” në vitin 2004. Në filmin e parë kisha një rol dytësor ndërsa te “Zgjoi” kam rolin e parë kryesor në film artistik të metrazhit të gjatë. Kam luajtur edhe në disa filma ë tjerë artistikë, të prodhuar në Kosovë. Një kohë të gjatë në mes të këtyre viteve kam jetuar në SHBA dhe një pjesë të mirë të kohës e kam kaluar si nënë e re, e angazhuar me vajzën time.

Albinfo.ch: Po në SHBA nuk keni provuar të depërtoni si aktore filmi apo teatri?

Y. Gashi: Nga viti 2018 deri në vitin 2020 kam qenë e angazhuar si pjesë  e një ekipi shumë të mirë të grave aktore në teatrin “Royal Family – off Broadway”. Kam luajtur në një shfaqje pak feministë pak politike me titullin “Women on Fire Stories from the Frontlines”, me skenar dhe regji të Chris Henry që pasqyron gjendjen e femrës emigrante në shoqërinë amerikane. Këtu hyn diskriminimi, dhuna, përdhunimi i grave etj. por, për shkak të pandemisë puna në këtë projekt është ndërprerë.

Filmi “Zgjoi”

Ky është, me pak fjalë, subjekti i filmit “Hive” (Zgjoi), një bashkëprodhim i vitit 2021 në mes Kosovës, Shqipërisë, Zvicrës dhe Maqedonisë, shkruan albinfo.ch.

Një grua, burri i së cilës është zhdukur gjatë luftës në Kosovë, merr jetën e saj në duart e saj. Fahrija nuk ka asnjë lajm nga burri i saj. Ajo, e vetme, kujdeset për dy fëmijët dhe vjehrrin e sëmurë.

Ajo  themelon një biznes të vogël dhe fillon me gra të tjera për të prodhuar ajvar specash nga fshati. Por ambicia dhe dëshira e Fahrijes dhe shoqeve të saj për autonomi nuk priten mirë në mjedisin e tyre tradicional. Për më tepër, madje puna e tyre sabotohet dhe ato sulmohen.

Filmi bazohet në një histori të vërtetë të ndodhur në Krushë të Madhe, në fshatin në të cilin është bërë njëra ndër masakrat më të mëdha të luftës, në Kosovë, shkruan albinfo.ch.

Në vazhdim, adresat e të gjitha kinemave  (18 sosh) ku do të shfaqet filmi, në të cilat mund të merren informatat mbi orarin  e saktë të shfaqjes së tij:

Zürich Kino Riffraff https://www.riffraff.ch/kinoprogramm/177449/hive.html?date=all&sort=name&kino=combine

Dietlikon (Zürich) Kino Pathé Dietlikon https://www.pathe.ch/de/filme-events/hive

Bern CineMovie https://www.quinnie.ch/de/bern/kinoprogramm/film/140572.html

Bern Kino Pathé Westside https://www.pathe.ch/de/kinos/cinema-pathe-westside

Basel kult.kino atelier https://www.kultkino.ch/film/hive/

Luzern Kino Bourbaki https://www.kinoluzern.ch/kinoprogramm/177449/hive.html?date=all&sort=name&kino=bourbaki

Ebikon (Luzern) Kino Pathé Ebikon https://www.pathe.ch/de/filme-events/hive

Chur Kino Center https://www.kinochur.ch/programm-tickets/programm

Engelberg Kino Engelberg https://kinoengelberg.ch/

Frauenfeld Cinema Luna https://www.cinemaluna.ch/de

Langenthal Kino Scala https://www.kino-scala.ch/

Männedorf Kino Wildenmann https://www.kino-maennedorf.ch/

Romanshorn Kino Roxy https://www.kino-roxy.ch/programm/

Schaffhausen Kino Kiwi Scala https://www.kiwikinos.ch/schaffhausen/programmuebersicht/

Solothurn Kino im Uferbau https://www.kinosolothurn.ch/de/

Spreitenbach Kino Pathé Spreitenbach https://www.pathe.ch/de/kinos/cinema-pathe-spreitenbach

St. Gallen Kinok https://www.kinok.ch/index/calendar

Winterthur Kino Kiwi Loge https://www.kiwikinos.ch/winterthur/demnaechst/