CH-Ballkani
Nëntë mbrëmjet e “Virgjëreshës së Betuar” në kinematë e Gjenevës
Filmi” Virgjëresha e Betuar”me skenar dhe regji të Laura Bispuri dhe Franceska Manieri,është shfaqur nëntë mbrëmje me radhë në kinemanë “ Grütli” të Gjenevës.
Ky film fundekrye është bazuar në romanin “Hana” të shkrimtares dhe publicistes Elvira Liçaj Dones.
Elvira Liçaj-Dones, si fëmijë tregoi prirje për art e letërsi . Mirëpo gjatë qëndrimit në Shqipëri, shkroi
vetëm romanin” Dashuri e huaj” .
Talenti i saj u konkretizua paksa me vonesë për shkak të ndërhyrjeve të drejtpërdrejta të politikës në shkencë,art e letërsi.
Zaten kjo edhe bëri që më 1988 Liçaj-Dones të marrë vendim që të lë Shqipërinë.
Ajo shkon në Zvicër,dhe e gjendur në një ambient krejt ndryshe nis punën si gazetare në televizionin qendror të kantonit Tiçino të Zvicrës.
Njohja e shkëlqyer e anglishtes, italishtes,frëngjishtes dhe spanjishtes,i krijojnë mundësinë që deri vonë veprës së saj të vetme t’ia bashkangjesë edhe shumë vepra të tjera të krijuara në zhanre të ndryshme të letërsisë .
Mbi dhjetë vepra letrare ,shkencore dhe publicistike të shkruara me shumë sinqeritet e mjeshtëri nga Liçaj-Dones,janë mjaft tërheqëse për të huaj e shqiptarë.
Më 2010, ajo ka realizuar dhe dokumentarin”Mos ma vrit tim atë”i cili është pritur jashtëzakonisht mirë nga kritikët e artit.
Një temë tabu të heshtur, dhe fare të paprekur të cilën gjatë e kemi trashëguar nga një kod relikt i shekullit të 15-të ajo e ka shtjelluar më 2013 në Veri të Shqipërisë,duke takuar Hana Dodën të shndërruar në Mark Doda.
Këtë temë të veçantë e mjaft intime me personazhe reale zonja Liçaj- Dones, e ka qit në letër duke shkruar romanin prej 224 faqeve “Hana”.
Ky roman përveç tematikës mjaft tërheqëse, dhe tmerrësisht reale e ka shtyrë regjisoren dhe skenaristen italiane relativisht të re Laura Bispuri që në konsultë me autoren Elvira Liçaj- Dones, të nisë skemën rreth filmit “Virgjëresha e betuar”.
Xhirimet janë bërë në Valbonë të Shqipërisë dhe në Milano të Italisë. Ndërkaq pjesë e trupës së filmit kanë qenë aktorët nga Italia,Shqipëria dhe Kosova.
Filmi si bashkëproduksion i Kosovës, Shqipërisë, Zvicrës, Italisë dhe Gjermanisë,ka debutuar me shumë sukses më 20 shkurt 2015 në Festivalin e filmit në Berlin “Berlinale Palast”.
Rolin kryesor në këtë film e luan aktorja me origjinë italiano-gjermane Alba Rohrwacher,e shpërblyer si aktorja më e mirë në Festivalin e Venedikut.
Ajo gjatë nëntëdhjetë minutave sa zgjat edhe ky film nëpërmjet rolit të Hënës, mundohet t’u jap shpjegim disa fenomeneve dhe ngjarjeve të dhimbshme që për kohën ishin të zakonshme në këto treva të thella të Alpeve Shqiptare.
Diku tridhjetë femra të këtyre zonave malore janë transformuar në burrnesha.
Sakrifica finale e tyre ka qenë të mbeturit e virgjër gjatë gjithë jetës. Në të shumtën e rasteve ato janë shndërruar në burrnesha në mungesë të meshkujve në shtëpi.
Ato kanë ruajtur me mjaft besnikëri trashëgimin e lënë nga prindërit, dhe kanë rritur vëllezër e motra të mbetur jetimë.
Aty –këtu ka pasur edhe ndonjë rast kur me transformim në burrneshë të përjetshme, është shmangur martesa e negociuar apo e padëshiruar.
Ky flijim i jashtëzakonshëm dhe tepër i dhimbshëm i këtyre virgjëreshave të përbetuara përherë ka provokuar zonjën Liçaj –Dones, e cila me mjaft devocion i ka hyrë trajtimit të kësaj teme sa tronditëse aq edhe karakteristike.
Ajo këtë ngjarje të së kaluarës që për shumëkënd ka qenë e panjohur dhe e pakuptueshme e ka çmbështjellë nëpërmjet Hana Dodës, të shndërruar përjetësisht në Mark Doda.
Pastaj këtë projektplan kjo autore produktive e ka jetësuar me romanin “Hana”, ku në plan të parë e ka vendosur Hana Dodën ,si kryeprotagoniste reale të ngjarjes.
Filmi “Virgjëresha e betuar”është vlerësuar me notë të lartë dhe ka marrë çmimin “Nora Ephorn” në Festivalin”Tribeka “ të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjithashtu ky film është shpërblyer edhe me çmimin ndërkombëtar të kritikës”The Internacional Critic Prize” i ndarë në Romë nga Federata Ndërkombëtare e Kritikëve të Filmit.
Pas sukseseve të njëpasnjëshme filmi “Virgjëresha e betuar”ka bërë dhe po vazhdon të bëjë xhiro në kinematë e Amerikës dhe të Evropës.
Ky sukses e motivon edhe më tepër për role të reja aktoren Flonja Kodheli e cila në rolin e Lilës ka qenë brilante.
Kodheli e re në moshë posedon të gjitha predispozitat për të qenë një aktore e madhe.
Ajo, Akademinë e Muzikës , dega e pianos e ka kryer në Belgjikë,kurse aktrimin në Paris.
Po ashtu roli i nënës së Hënës,i ka shkuar për shtati aktores strugane Ilire Vinca, e cila me përvojën e saj gati tridhjetë vjeçare në teatër e film në këtë rol ka dalë tamam një nënë malësore e këtyre zonave.
Me lojën dhe lëvizjet e tyre origjinale shikuesin e kanë bërë për vete edhe aktorët Bruno Shllaku e Luan Jaha.
Vogëlushet Drenica dhe Dajana Selimaj nga Valbona e Tropojës, në këtë film kanë debutuar shumë natyrshëm, duke dhënë sinjale se rrugëtimi i tyre në botën e filmit mund të vazhdohet me sukses.
Qyteti i Gjenevës,i njohur ndërkombëtarisht për art e kulturë viteve të fundit në kinematë e tij ka prezantuar edhe tre- katër filma me temë shqiptare. Nga këta filma duhet veçuar filmi “Amnistia” i regjisorit Bujar Alimani, i cili më 2012 pati marrë çmimin e publikut të Gjenevës.
Një tjetër film me shikues të shumtë vitin që shkoi ishte edhe filmi “Babai” i regjisorit Visar Morina, i shfaqur po në një nga kinematë e Gjenevës.
Sigurisht tema e zbërthyer me tepër mjeshtëri nga romancierja Liçaj – Dones, dhe loja e kombinuar e aktorëve shqiptarë me ata të huaj ka bërë që gjatë nëntë netëve në qendër të vëmendjes të jetë filmi “Virgjëresha e betuar”
Ky film i metrazhit të gjatë ka zgjuar sidomos kureshtjen e gjinisë femërore.
Studente e nxënëse të shkollave të mesme nëntë mbrëmje radhas pa përjashtuar edhe gjininë tjetër e kanë përcjell me interesim të posaçëm këtë film me temë tepër interesante dhe krejtësisht të panjohur deri me tani.
Ky film i kushtueshëm është realizuar edhe në saje të mbështetjes materiale që ka dhënë Qendra e Kinematografisë së Kosovës.
Arif Ejupi
Të tjera nga CH-Ballkani
E-Diaspora
-
Gjykata Supreme refuzon ankesën e LVV-së për qendrat e votimit jashtë Kosovës Kolegji i Gjykatës Supreme ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me... -
Edicioni i katërt i “Tri Net Film Fest”: Mes modestisë së sallës dhe fuqisë së ekranit -
AlbGala 2025: Mbrëmja ku u afirmua ekselenca shqiptare në Zvicër -
Nata e dytë e Tri Net Film Fest -
Votuesit e regjistruar për të votuar jashtë Kosovës nuk mund të votojnë brenda vendit
Jeta në Zvicër
-
BE planifikon rrjet hekurudhor rreth Zvicrës, SBB zgjeron lidhjet direkte me Europën Hekurudhat Federale Zvicrane (SBB) po zgjerohen për të ofruar më shumë lidhje direkte me qytetet europiane,... -
Vaud: Rruga hekurudhore Montreux-Aigle e mbyllur, qindra persona bllokuar -
St. Gallen nis projektin pilot për mbledhjen elektronike të nënshkrimeve -
Prostitucioni i të miturve, shumë diskret, por fenomen në rritje në Zvicrën frëngjishtfolëse -
Norma bazë e interesit pritet të mbetet në zero për qind

















