Integrimi
Mantelbardhët shqiptaro-zviceranë, ambasadorë të integrimit dhe zhvillimit
Mjekët me prejardhje shqiptare mund ta luajnë një rol të rëndësishëm në lehtësimin e procesit të integrimit harmonik të shqiptarëve në Zvicër, por edhe të zhvillimit të vendeve të prejardhjes
Hulumtimi i realizuar nga ekipi i albinfo.ch tregon se numri i mjekëve shqiptarë në Zvicër i afrohet 400-shit. Ky numër nuk është i vogël, por jo edhe i madh në raport me peshën demografike të rëndësishme të komunitetit shqiptar në këtë vend.
Profili i mantelbardhëve shqiptarë është i larmishëm, duke filluar nga doktorët e përgjithshëm e deri te specialistë të ndryshëm, dhe atë të rangut të lartë, siç e ilustron në këtë numër kirurgu i mirënjohur i kardiologjisë shqiptaro-zvicerane, Omer Xhemaili, pa i harruar specialistët e tjerë të mirënjohur në Zvicër, siç janë Florim Cuculi, Avdulla Krasniqi, Emrush Rexhaj, Gëzim Dushi, Flora Brovina-Shehu, Semun Abdili, Mentor Bilalli etj.
Mjekët me prejardhje shqiptare mund ta luajnë një rol të rëndësishëm në lehtësimin e procesit të integrimit harmonik të shqiptarëve në Zvicër, por edhe të zhvillimit të vendeve të prejardhjes.
Sa i përket integrimit, viteve të fundit, gjithnjë e më shumë pranohet fakti se indikator i integrimit është edhe ngushtimi i dallimeve mes zviceranëve dhe personave me prejardhje të huaj sa i përket shëndetit. Me këtë nënkuptohet gjendja e mirë shëndetësore e individëve, jetëgjatësia e tyre, higjiena, por edhe qasja në shërbimet e mjekësisë. Në këtë drejtim është i angazhuar energjikisht edhe Enti Federal zviceran për Shëndetësi Publike si dhe rrjeti i spitaleve zvicerane për t’ua lehtësuar qasjen në mjekësi migrantëve. Duke e ditur faktin se doktorët shqiptaro-zviceranë gëzojnë autoritet të padiskutueshëm në sytë e bashkëkombësve të tyre, çdo këshillë apo udhëzim do të ketë efekte afatgjata në përmirësimin e gjendjes shëndetësore të komunitetit, sidomos në fazën e parandalimit, dhe atë te të gjitha gjeneratat si dhe shtresat shoqërore.
Efekti i mantelbardhëve shqiptaro-zviceranë mund të jetë i një rëndësie të veçantë për zhvillimin e qëndrueshëm të mjekësisë në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Luginë të Preshevës si dhe në Mal të Zi. Duke u nisur nga niveli i lartë dhe shumë selektiv në sistemin universitar si dhe cilësisë së shkencës së mjekësisë në Zvicër, mjekët e dalë nga ky vend mund t’u ndihmojnë seriozisht vendeve të prejardhjes, duke transferuar atje dijen e tyre dhe të kolegëve të tyre, por edhe duke ndikuar në ndryshimin e qasjes ndaj pacientit si dhe të ndërtimit të politikave publike efikase të shëndetësisë. Në këtë drejtim duhet të merret si shembull impakti i mjekëve serbo-zviceranë në shëndetësinë e vendit të tyre të origjinës. Pra, efekti i mjekëve shqiptaro-zviceranë do të jetë më i madh nëse ata arrijnë ta gjejnë kohën dhe ujdinë që të ndërtojnë një strukturë të mirëfilltë për t’u solidarizuar më shumë me bashkëkombësit e tyre në vendlindje, që vuajnë me dekada, për shërbime cilësore të mjekësisë.
Ky numër i revistës ju sjell një mori shkrimesh që reflektojnë laramaninë e sipërpërmendur, por edhe informata të bujshme mbi tendencën e krijimit të strukturave pritëse në Zvicër për të moshuarit shqiptarë, gjithnjë e në rritje si dhe tendencën e emigrimit të mjekëve shqiptarë drejt vendeve perëndimore.
Lexim të shëndetshëm!
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Itali
9-vjeçarja shqiptare fiton festivalin italian “Zecchino d’Oro” për herë të parë në 68 vjet Emma Dakoli shkruan histori në festivalin më të madh italian për fëmijë... -
Gjermani
Ekspozitë në Braunschweig, identiteti dhe arti kosovar në skenën gjermane -
Familja Munishi dhe vizioni i Nikolas: Një histori suksesi në Wil -
“Një ditë tjetër” e Mira Kazhanit në Cyrih: Promovimi që u shndërrua në një përqafim kolektiv -
Ndërmarrësi shqiptar në Zvicër mbështet klubin e njohur të hendbollit HC Luzern me 100 mijë franga
Jeta në Zvicër
-
Familja Munishi dhe vizioni i Nikolas: Një histori suksesi në Wil Dhjetëra miq, partnerë dhe biznesmenë shqiptarë e zviceranë morën pjesë në inaugurimin zyrave te reja, duke... -
Shtëpitë e të moshuarve në kantonin Aargau po arrijnë kapacitetin maksimal. -
Trenat e natës: Sa të dobishëm janë dhe çfarë mund të ofrojnë? -
Kërkimet më të shpeshta në Google në Zvicër në vitin 2025 -
Punonjësit e Bashkisë së Gjenevës janë në grevë, duke u mobilizuar kundër shkurtimeve buxhetore











