Kosova
Të ardhurat për kokë banori në Kosovë, më të ulëtat në rajon
Republika e Kosovës vazhdon të ketë vlerat më të ulëta të Bruto Produktit Vendor (BPV) për kokë banori, krahasuar me vendet e rajonit.
Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, Bruto Produkti Vendor për vitin 2017 ishte mbi 6.4 miliardë euro, kurse Bruto Produkti Vendor për kokë banori ka qenë 3,566 euro, përderisa rritja reale ekonomike ka qenë 4.2 për qind.
Bruto Produkti Vendor është treguesi kryesor dhe më i rëndësishëm makroekonomik në Sistemin e Llogarive Kombëtare, i cili paraqet rezultatet finale të prodhimit në të gjitha aktivitetet e njësive prodhuese rezidente.
Bruto Produktit Vendor është llogaritur sipas tri elementeve: qasja e prodhimit, qasja e shpenzimeve dhe qasja e të ardhurave në Republikën e Kosovës, shkruan REL, përcjell Albinfo,ch.
Bruto Produkti Vendor për kokë banori në vendet e rajonit dhe në Kosovë, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, për vitin 2017 është:
Mali i Zi – 6,646 euro
Serbia – 5,126 euro
Maqedonia – 4,757 euro
Bosnja dhe Hercegovina – 4,473 euro
Shqipëria – 3,983 euro
Kosova – 3,372 euro
Pavarësisht faktit se Kosova llogaritet e fundit sa i përket standardit jetësor, krahasuar me vendet e rajonit, të dhënat e Agjencisë të cilat përfshijnë periudhën 2008- 2017 tregojnë se gjatë kësaj periudhe, vazhdimisht ka pasur rritje të BPV-së, pasi në vitin 2008 kjo normë ka qenë 2.200 euro për kokë banori.
Ndryshe, ekspertë për çështje ekonomike e konsiderojnë të pamjaftueshëm këtë vlerë për të adresuar problemet thelbësore që i ka Kosova.
Ismail Kastrati, ish-kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se megjithëse viteve të fundit ka pasur rritje të nivelit të Bruto Produkti Vendor për qytetarët e Kosovës, kjo normë nuk ka arritur ta zbusë papunësinë dhe varfërinë.
“BPV në Kosovë ka ecur më një ritëm relativisht të mirë, por jo për të zënë Bruto Produktin për kokë banori të vendeve të rajonit dhe për të zvogëluar shkallën e papunësisë se lartë në Kosovë. Zakonisht BPV këto 17 vjetët është rritur mesatarisht 3.6 për qind, që nuk siguron zvogëlim të papunësisë dhe nuk e zë hapin me vendet e rajonit”, thotë Kastrati për Radion Evropa e Lirë.
Edhe Berim Ramosaj, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, shprehet për Radion Evropa e Lirë, se krahasuar me vitet tjera, ka pasur rritje të Bruto Produktit Vendor, por kjo shumë nuk siguron standard dhe nuk gjeneron mirëqenie të mirë jetësore për qytetarët e Kosovës, shkruan REL, përcjell Albinfo.ch.
“Pa mirëqenie nuk mund të fitosh as shkollim, dije, shërbim social, shoqëror dhe as arsimor. Kështu që është nivel shumë i ulët, por duke marrë parasysh se ku kemi qenë dhe ku jemi, besoj që do të ketë efekte në të ardhmen”, thotë Ramosaj.
Ramosaj shprehet se autoritet kompetente duhet të krijojnë kushtet e të bërit biznes, duke filluar nga industria e prodhimit, në mënyrë që Kosova të ketë mundësi të rrisë zhvillimin e përgjithshëm ekonomike, rrjedhimisht edhe Bruto Produktin Vendor.
“Duke marrë parasysh zhvillimin ekonomik që e kemi shumë të ulët, nuk ka mundësi që për këtë periudhë BPV-ja të jetë më e lartë. Mirëpo, pretendohet që Kosova nëse dëshiron të jetë krahas vendeve tjera, pa dyshim duhet të rrisë prodhimin dhe shërbimin vendor. Krejt ajo që krijohet brenda një viti në një shoqëri siç është Kosova dhe atëherë kur pjesëtohet me numrin e banorëve padyshim se del më e lartë”, shprehet Ramosaj.
Kurse Ismail Kastrati konsideron se sundimi i rendit dhe ligjit, eliminimi i korrupsionit dhe krimit ekonomik, siguron rritjen e të ardhurave të Bruto Produktit vendor për kokë banori.
“Autoritetet në rend të parë duhet të krijojnë siguri ligjore për të tërhequr investime të huaja direkte dhe krijimin e vlerave të reja të shtuara, do të thotë investim në sektorin e prodhimit. Vetëm kjo do të krijonte mundësinë e rritjes se Bruto Produktit dhe atë jo vetëm nga konsumi, por nga prodhimi. Aktualisht determinante e rritjes se BPV- se është konsumi, i cili pjesërisht financohet nga remitencat”, thekson Kastrati.
Në anën tjetër, Bruto Produkti Vendor për kokë banori në vendet e Bashkimit Evropian është 29,396 euro. E për të arritur vendet e Ballkanit Perëndimor këtë vlerë të të ardhurave, sipas Bankës Botërore nevojiten rreth gjashtë dekada.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Merita Pinta, një zonjë e fortë, me shumë merita Ka themeluar dhe drejton një kompani me dy shtëpi për të moshuar. Albinfo.ch e ka zgjedhur... -
Aktorja Fatlume Bunjaku do ta përfaqësojë Shqipërinë në “European Shooting Stars 2026” -
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hap 23 kuti postare për votuesit e diasporës -
Ministrja shqiptare paralajmëron iniciativa për të drejtat e diasporës në Greqi -
Udha e Lorik Canës: Sporti, Kultura dhe Kombi
Jeta në Zvicër
-
Qirinjtë ‘made in Switzerland’ mjeshtëria sfidon importet Njëherë të përdorura vetëm për dritë, lutje ose festime ditëlindjeje, qirinjtë janë shndërruar në aksesor modern... -
Produktet vegane dhe vegjetariane në Zvicër po ofrohen më pak, por kërkesa mbetet e lartë -
Punëtori i ndërtimit bie në kafazin e ashensorit, plagoset rëndë -
Prokuroria e St. Gallenit ndëshkon një pasagjer treni për racizëm -
Taksa Kantonale e Aargaut do të ulet me 8 pikë përqindjeje











