Bota
Kombi amerikan i jep lamtumirën ish presidentit George H.W. Bush
Shtetet e Bashkuara i dhanë lamtumirën të mërkurën ish-presidentit George H.W. Bush me një funeral shtetëror në Uashington, ku morën pjesë figura të larta të politikës amerikane, së bashku me udhëheqës aktualë e të mëparshëm nga e gjithë bota.
Ish-presidentët amerikanë Jimmy Carter, Bill Clinton dhe Barack Obama iu bashkuan Presidentit Donald Trump, gjatë shërbimit të përmortshëm për ish-presidentin George H.W. Bush në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, ku fjalimi kryesor u mbajt nga George W. Bush, djali i presidentit të ndjerë si dhe Presidenti i 43-të i SHBA-së.
“Ai na mësoi se shërbimi publik ishte diçka fisnike dhe e domosdoshme”, tha ish-Presidenti Bush përpara të pranishmëve në katedralen shpirtërore episkopale. “Ai kishte një aftësi të madhe për të dhënë nga vetëvetja.”, tha ai.
Ndërsa mbaronte fjalimin George W. Bush nisi të qajë. Ai e përshkroi babain e tij si “një njeri të madh e fisnik”, shkruan VOA, përcjell Albinfo.ch.
Presidenti Trump nuk mbajti fjalim gjatë funeralit, por më herët në një postim në Twitter shkruante: “ky nuk është një funeral, kjo është një ditë kremtimi për një njeri të madh që ka patur një jetë të gjatë e të shquar. Do të na mungojë! ”
Kancelarja gjermane Angela Merkel, Princi Charles i Britanisë, Mbreti Abdullah i Jordanisë dhe Presidenti polak Andrzej Duda ishin mes atyre që ndoqën funeralin për nder të presidentit të 41-të të SHBA, i cili vdiq në moshën 94 vjeçare.
Gjatë shërbesës u mbajtën fjalime edhe nga ish-kryeministri kanadez Brian Mulroney, ish-senatori amerikan Alan Simpson dhe historiani Jon Meacham, biograf i Bushit, shkruan VOA, përcjell Albinfo.ch
Zoti Mulroney, udhëheqësi kanadez në kohën kur George H.W. Bush ishte në Shtëpinë e Bardhë prej vitit 1989 deri në 1993, tha se në historinë e Shteteve të Bashkuara ai nuk besonte kurrë se do të kishte një president “më të guximshëm, më parimor apo më të nderuar se George Herbert Walker Bush”.
Zoti Simpson rikujtoi miqësinë e tij të gjatë me ish-presidentin e ndjerë dhe tha: “ai ishte një person i jashtëzakonshëm nga lindja deri në vdekje … një nga njerëzit më fisnikë të kësaj toke”.
Zoti Meacham vlerësoi ish-presidentin Bush si “burrë shteti, ushtari i fundit i jashtëzakonshëm i Amerikës”. Ai tha se jeta e tij ishte një mision për të provuar vlerën e saj që nga koha kur ai ishte një pilot luftarak 20 vjeçar dhe i vetmi mes anëtarëve të tij të ekuipazhit që shmangu kapjen nga japonezët apo vdekjen gjatë Luftës së Dytë Botërore gjatë bombardimit që ndodhi në Paqësor në 1944.
Që nga vdekja e tij, ish-presidenti Bush po përkujtohet për heroizmin e tij si një pilot i marinës, rolin udhëheqës në skenën botërore kur Bashkimi Sovjetik u shemb dhe Gjermania lindore dhe perëndimore u ribashkuan në fillim të viteve 1990 sikurse dhe për mirësjelljen e dashamirësinë e tij si në jetën personale ashtu edhe atë publike, shkruan VOA, përcjell Albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Prishtina fiton Kupën e Diasporës, pas penalltive mposht Kosovën e Gjenevës Koha e rregullt përfundoi pa fitues 2:2, në një spektakël të futbollit shqiptar ... -
Dua Lipa në International Booker Prize Awards: Letërsia është ura më e fortë mes kulturave -
Mos i hidhni zarfet e votimit në kosh, vota juaj mbron pagën dhe të ardhmen në Zvicër -
Lozanë: Lot, emocione dhe kujtesë në promovimin e librit “Për ata që nuk u kthyen” -
Stockholm
Grupi i valleve “Tradita” sonte përfaqëson kulturën shqiptare në Stockholm
Jeta në Zvicër
-
Shumë të moshuar për të marrë me qira: Diskriminimi zviceran ndaj të moshuarve në pasuri të paluajtshme Një çift pensionistësh dëshmon në programin On en parle: pavarësisht pensioneve AHV, kursimeve dhe mungesës së... -
Tërheqjet e produkteve që nuk përputhen me standardet janë gjithnjë e më të shumta në Zvicër -
“Zhurmë për vjedhje”: Sanduiçët peshojnë 14 gramë më pak, reagon Migros -
Zvicër: Proces gjyqësor me një çift serb dhe 40 gra të skllavëruara si pastruese -
Pse mbajtësit e lejes B në Zvicër fitojnë më shumë se banorët e përhershëm?














