Turizëm

Shqipëria, atraktive për turistët nga Gjermania dhe Austria

Turistët e huaj përveç kampingut në këtë resort kanë shijuar dhe sportin e kanoes duke shëtitur në liqenin e Shkodrës dhe peizazhin natyror që ky vend ofron

Shqipëria si destinacion turistik gjithëvjetor vazhdon të mbetet atraksion i preferuar i turistëve të huaj edhe përgjatë vitit 2019.

Shqipëria tashmë nuk ofron vetëm turizmin e detit dhe të rërës, por ofron mundësi dhe për turistët e huaj që udhëtojnë me kampera (rulota) që të kenë mundësi të eksplorojnë Shqipërinë dhe mundësi akomodimi me këto mjete.

Në këtë fillim pranvere turistë të shumtë nga Evropa Perëndimore nga Gjermania dhe Austria kanë zgjedhur Shkodrën për të shijuar natyrën, dhe në një nga resortet e zonës i cili ofron mundësi për kamping, si dhe për të shijuar sportin e kanoes në liqenin e Shkodrës dhe të Kirit.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare pronari i këtij resorti, Niko Maraçaj shprehet se, “ideja për këtë resort më ka lindur pasi vet kam jetuar në qytete të mëdha dhe kam udhëtuar me kamper gjithmonë dhe ideja për të qenë sa më i lidhur me natyrën më bëri të bëjë këtë vend këtu në Shkodër”, është shprehur ai, përcjell albinfo.ch.

“Për momentin po pushojnë në këtë vend 40 turistë kryesisht nga Gjermania, Finlanda , Austria. Gjatë sezonit të verës këtë vend e vizitojnë rreth 100 deri në 200 vizitorë në ditë. Ky resort ofron kamping, kuzhinë tradicionale si dhe panoramën fantastike që e rrethon këtë vend siç është liqeni i Shkodrës”, tha Maraçaj.

Gjithashtu turistët e shumtë që ndodheshin në këtë resort nga Gjermania dhe Austria u shprehën për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se vinin për herë të parë në Shqipëri dhe u duket i mrekullueshëm. Atyre gjithashtu përshtypje mjaft të mirë u kishte bërë dhe mikpritja e njerëzve në vendin tonë, që i cilësojnë si mjaft miqësorë. Turistët dhanë dhe vlerësime e tyre për kuzhinën shqiptare, e cila sipas tyre të ofron larmishmëri ushqimesh, si dhe një shije të veçantë.

Turistët e huaj përveç kampingut në këtë resort kanë shijuar dhe sportin e kanoes duke shëtitur në liqenin e Shkodrës dhe peizazhin natyror që ky vend ofron.

Shkodra është një vend që ofron turizëm në katër stinët sepse aty takohet deti, liqeni, mali natyra, kultura dhe arti. Turistët e aventurës gjithashtu në Shkodër kanë mundësi të shijojnë hiking, kanoe si dhe të shëtisin me biçikleta nëpër rrugicat karakteristike të qytetit.

Liqeni i Shkodrës është një tjetër atraksion nga turistët e huaj i cili duket se i jep qytetit  freskinë dhe reflekton bukuritë natyrore që ky vend ka.

Liqeni i Shkodrës ndodhet në veriperëndim të Shqipërisë dhe është liqeni më i madh i Gadishullit të Ballkanit. Është i gjatë 43 km dhe i gjerë 14 km dhe thellësi mesatare 7-10 m, me pikën më të thellë 44 m. Liqeni i Shkodrës është i pasur dhe në faunë. Rreth 250 lloje shpendësh gjenden në liqen dhe rreth tij, ku gjysma janë migrues dhe pjesa tjetër folezon në brigjet e liqenit.

Turistët që vizitojnë Shkodrën largohen, por gjithmonë rikthehen, pasi ky vend të ofron bukuritë natyrore, traditën dhe buzëqeshjen mikpritëse të shkodranëve të artit dhe humorit, pasi siç e pohojnë të gjithë “Shkodra asht dashni”.