Lajme
Ndërpriten gërmimet në Rashkë, Serbia kërkon donacione
23 prill patën filluar gërmimet vlerësuese që kanë vazhduar deri më 14 qershor
Në Rudnicë të Rashkës, Serbi, ku prej prej një kohe po gërmohej për të hulumtuar një varrezë masive me shqiptarë, janë ndërprerë punimet. Shkak për këtë ndërprerje bëhet e ditur është se pala serbe ankohet për mungesë fondesh. Këtë e kanë kumtuar të premten zyrtarët e Komisionit Qeveritar të Kosovës për Persona të Pagjetur.
Më 10 dhjetor të vitit të kaluar, në lokacionin e dyshuar si varrezë masive në Rudnicë kishin filluar gërmimet dhe më 13 dhjetor ishin hasur në mbetjet e para mortore.
Më 10 prill të këtij viti, ishte rrënuar objekti i një kompanie shërbyese për mirëmbajtjen e rrugëve, nën të cilin dyshohej se ndodhej varreza masive. Më 23 prill patën filluar gërmimet vlerësuese që kanë vazhduar deri më 14 qershor.
Gërmimet në lokacionin e dytë kanë nisur më 30 qershor dhe kanë përfunduar pa gjetje. Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur thotë se pala serbe ka ndërprerë punimet në prag të fillimit të gërmimeve në lokacionin e tretë, me arsyetimin se mungojnë fondet, shkruan Radio Evropa e Lirë.
“Është befasi shumë e madhe dhe me keqardhje e kemi pritur këtë lajm, ne nga ana jonë, si ekspertët, si ne që i koordinojmë aktivitetet, e në veçanti familjarët, sepse këta të fundit me padurim i presin informacionet për të ditur për fatin e më të dashurve të tyre. Tani pala serbe, në mënyrë të njëanshme i ndërpret punimet dhe them se po vazhdon të bëjë një krim, për të përfituar donacione ose për të shfrytëzuar mundësinë e përfitimeve në këtë fatkeqësi”, thotë Gjetaj.
Gjetaj shton se e kanë shprehur pakënaqësinë te pala serbe lidhur me ndërprerjen e gërmimeve dhe kanë kërkuar takim urgjent të Grupit punues, i cili përbëhet nga delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit, për të vlerësuar hapat e mëtutjeshëm për vazhdimin e punimeve.
“Në takimin e Grupit punues – që me siguri, kërkesë e jona është që të mbahet menjëherë javën e ardhshme – do të kërkojmë që të mos ndërpritet kjo vazhdimësi (e punës) dhe që në të vërtetë të mos kushtëzohet me donacione ose me mjete financiare, sepse Serbia apo cilido shtet, për të vlerësuar një lokacion ku duhet të angazhohet ndonjë makineri ose ekskavator, sigurisht se nuk është e arsyeshme të ndërpriten punimet”, thekson Gjetaj.
Ndërkohë, Arsim Gërxhaliu, drejtor i Drejtorisë për mjekësi ligjore, i cili i ka prirë ekspertëve të palës së Kosovës në gërmimet në Rudnicë, ka shpjeguar ecurinë e deritashme të punës dhe gjetjet që kanë rezultuar nga gërmimet.
“Lokacioni është duke u kontrolluar bazuar në lëvizjet e dheut, prej hartave satelitore. Lokacioni i parë, Rudnica 1, është kontrolluar deri në kufirin e lëvizjes së dheut dhe ka rezultuar me gjetjen 45 trupave, relativisht të mbledhura mirë dhe 87 mbetje mortore, prej të cilave, në përgjithësi, prej këtyre dy grupacioneve, 156 mostra të ADN-së janë marrë dhe janë dërguar në ISMP për analiza të ADN-së. Nga momenti i arritjes, 4 deri në 6 javë, së paku, kërkojnë kohë për të na arritur analizat (rezultatet)”, shpjegon Gërxhaliu.
Gërmimet në Rashkë kishin nisur mbi dyshimet që kishin lindur pas krahasimit të pamjeve satelitore para dhe pas disa punimeve që ishin zhvilluar në lokacionin ku janë zhvilluar së fundmi gërmimet dhe janë gjetur mbetje mortore.
Në muajin prill, kryetari i Komisionit qeveritar dhe kryetari i delegacionit të Serbisë për bisedime me Kosovën lidhur me çështjen e të pagjeturve, Veljko Odaloviq, pati deklaruar se në varrezën masive në Rudnicë dyshohet të jenë mbetjet mortore të rreth 300 shqiptarëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
E-Diaspora
-
Mërgata do të votojë më 27 dhjetor në përfaqësitë diplomatike, KQZ jep udhëzime për procesin Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se më 27 dhjetor qytetarët e Kosovës... -
Merita Pinta, një zonjë e fortë, me shumë merita -
Aktorja Fatlume Bunjaku do ta përfaqësojë Shqipërinë në “European Shooting Stars 2026” -
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hap 23 kuti postare për votuesit e diasporës -
Ministrja shqiptare paralajmëron iniciativa për të drejtat e diasporës në Greqi
Jeta në Zvicër
-
Shërbimet hekurudhore në Lucern janë të kufizuara ndjeshëm për shkak të një linje të dëmtuar Shërbimet e trenave në stacionin e Lucernit po përballen me vonesa dhe anulime në transportin rajonal.... -
Problemi i kokainës në Evropë dhe roli i Zvicrës: Sasi rekord dhe rrugë të reja tregtie -
Qirinjtë ‘made in Switzerland’ mjeshtëria sfidon importet -
Produktet vegane dhe vegjetariane në Zvicër po ofrohen më pak, por kërkesa mbetet e lartë -
Punëtori i ndërtimit bie në kafazin e ashensorit, plagoset rëndë












