Kosova
Kaos në ushtrimin e kompetencave nga qeveria në largim
Ndërkohë, disa nga ministrat në dorëheqje të Qeverisë së Kosovës, edhe pas dorëheqjes se Haradinajt, si dhe pas dorëzimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, nuk kanë pushuar me marrjen e vendimeve të ndryshme
Qeveria në largim e Kosovës nuk i di ende kompetencat e saj pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.
Pas dorëheqjes së tij, më 19 korrik, Ramush Haradinaj i ishte drejtuar më 29 korrik edhe Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për definimin e kompetencave dhe funksionit të Qeverisë në rrethanat e krijuara pas dorëheqjes së tij. Kushtetuesja, ende nuk ka dhënë asnjë interpretim në lidhje me këtë kërkesë.
Ndërkohë, disa nga ministrat në dorëheqje të Qeverisë së Kosovës, edhe pas dorëheqjes se Haradinajt, si dhe pas dorëzimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, nuk kanë pushuar me marrjen e vendimeve të ndryshme.
Përderisa ministrat në largim të Qeverisë së Kosovës marrin vendime duke besuar se ato janë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet, përfaqësuesit e shoqërisë civile më shumë preferojnë të pritet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që më pas të mos kontestohet legjitimiteti i këtyre vendimeve.
Vetë kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, në seancën e shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës nuk ishte i ulur në vendin e kryeministrit. Ai tha se nuk e ka të qartë nëse ende është kryeministër.
“Unë nuk jam kryetar qeverie, nuk kam të drejtë të jem në sallë, isha në grup parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Jam kryetar i partisë politike. Nëse Gjykata Kushtetuese parasheh që duhet të kryejmë funksionet e Qeverisë në dorëheqje, kuptohet nuk kam dezertuar, rri gati për çdo detyrë që të mos ndalet jeta në vend në veçanti në ato sfera që janë emergjente”, ka thënë Haradinaj në një prononcim për media.
Ngjashëm me Haradinajn, edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, ka deklaruar se pa vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ndajë mjetet e nevojshme financiare nga buxheti për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Por, përderisa Haradinaj dhe ministrat, si rasti i Bedri Hamzës nuk e dinë nëse mund të vazhdojë apo jo me funksionet e tyre, disa ministra të tjerë kanë vazhduar punën e rregullt, duke marrë vendime për çështje të caktuara.
Më 21 gusht, Ministria e Inovacionit përmes një komunikate kishte njoftuar se do të investojë 200 mijë euro për hapjen e Qendrës Multifunksionale Inovative në Shtime. Njoftime të ngjashme mediave u janë adresuar edhe nga disa ministri të tjera.
Profesori i çështjeve juridike kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se Gjykata Kushtetuese do të duhej sa më parë të dalë me një interpretim të kërkesës së Haradinajt.
Sipas tij, nuk ka shumë për të bërë dhe për t’u thelluar në këtë çështje, pasi që Kushtetuta e Kosovës, sipas tij, është e qartë në këtë pikë.
“Do të duhet që sa më parë Gjykatat Kushtetuese të ketë një mendim lidhur me këtë kërkesë në mënyrë që nëse kanë të drejtë ministrat e dorëhequr dhe qeveria e rënë bashkë me kryeministrin e dorëhequr që të sjellin vendime, të marrin vendime, atëherë është dashur kabineti të vazhdojë të mbajë mbledhjet e rregullta dhe të marrë vendime si deri më tani, sa ka qenë brenda mandatit. Por, këtë nuk po e bënë Gjykata Kushtetuese dhe shpresojmë që do ta bëjë sa më parë në mënyrë që të hiqen dilemat”, thotë Baraliu.
Sipas tij, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese nga fryma e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, Qeveria e dorëhequr ka të drejtë t’i kryej punët vijuese teknike administrative, ka të drejtë dhe obligim që t’i zbatojë vendimet që janë marrë nga kabineti qeveritar në mandat derisa nuk është dhënë dorëheqja dhe të kontrollojë, të mbikëqyrë zbatimin e vendimeve dhe projekteve të ndryshme.
Në Kosovë gjatë kësaj javë Kuvendi i Kosovës është shpërndarë dhe brenda 45 ditëve do të mbahen zgjedhjet e parakohshme për përbërjen e re të legjislaturës së shtatë të Kosovës, përcjell Albinfo.ch.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Kurti në Cyrih: Mërgata nuk është rezervë emocionale, por forcë zhvillimi dhe shtyllë e shtetit Kurti sonte në Cyrih: “Nga ndjenja kombëtare te vetëdija shtetërore – diaspora si partner i Kosovës”... -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Elina Duni, Ambasadorja e Xhazit Modern: Fituesja e Swiss Jazz Award 2025 -
Dega e LDK-së në Austri kandidon Besart Berishën për deputet të Parlamentit të Kosovës -
Suzanna Shkreli kandidon për Sekretare Shteti në Michigan
Jeta në Zvicër
-
Lindjet në kantonin zviceran bien në nivelin më të ulët rekord Numri i foshnjave të lindura në kantonin Jura, në veriperëndim të Zvicrës, ka qenë në rënie... -
Ulen kostot e shtetësisë zvicerane në Bazel dhe Bernë -
Zvicra planifikon të zgjerojë radarët e zhurmës në rrugë -
Aeroporti i Cyrihut do të heqë kufizimet për lëngjet në vitin 2026 -
A keni nevojë për një certifikatë mjekësore në ditën tuaj të parë të pushimit në Zvicër?














