Kosova
Vrasja e çiftit në Prizren, dalin detaje të reja
Duket se motivi që ka shtyrë në vrasje ka qenë për çështje pronësore
Para rreth 10 vjetëve çifti Durim e Suada Hadri kishin blerë një shtëpi dykatëshe në “Ortakoll” të Prizrenit. Ndonëse kishin pasaporta suedeze, ata kishin vendosur që vitet e pleqërisë t’i kalonin në vendlindje. Kohë pas kohe në Prizren i vinin për vizitë tre fëmijët, dy djemtë dhe vajza.
Por njëri nga ta, Adriatiku, ishte më misterioz. Gjithmonë kur vinte në Kosovë, ai qëndronte i mbyllur në shtëpi. Nuk dilte as në ballkon. Çifti për sjelljet e tij arsyetohej te fqinjët se është i sëmurë. E pikërisht Adriatiku, 35-vjeçar, po kërkohet për vrasjen e prindërve të tij, që dyshohet se e kreu për motive pronësore.
Një fotografi me një mesazh se dy persona kanë ndërruar jetë qëndron e varur në rrethojat e shtëpisë dykatëshe në lagjen “Ortakoll” në Prizren. Dyert e kësaj shtëpie janë të mbyllura, po ashtu edhe roletat e dritareve të saj të gjitha janë të ulura poshtë, duke u dhënë kështu të kuptohet se aty nuk jeton askush.
Në oborrin e kësaj shtëpie në Prizren gjendet edhe një veturë, e cila është e gjitha e mbështjellë. Ajo i takonte çiftit Hadri, Suadës dhe Durimit, njëri 55 e tjetri 64-vjeçar, të cilët kishin kohë që nga Suedia kishin ardhur për të jetuar në Kosovë, përcjell albinfo.ch.
Por fundi i këtij çifti ishte tragjik. Ata u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre në mëngjesin e 22 janarit të këtij viti. I dyshuari kryesor për vrasjen po cilësohet djali i tyre, Adriatiku-35-vjeçar.
Familja e jep lajmin mortor, te përkujtimi nuk shkruhet emri i djalit që dyshohet për vrasjen çifit
Çifti kishte tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Dy nga ta ishin të martuar, ndërkohë tjetri, Adriatiku 35-vjeçar ishte i pamartuar. Çifti ndërrimin e viteve e kishte kaluar në Suedi, te fëmijët.
Por me t’u kthyer në Kosovë, mes tyre dhe djalit nisën problemet.
Gazeta Express gjatë së martës ka qëndruar te shtëpia ku u gjetën të vrarë Suada dhe Durimi. Fqinjët i përshkruajnë ata si persona të qetë dhe gazmorë.
“Nuk kemi ndi as krismë e as kurgjo. Krejt familjen e kanë jashtë. Na me ta kemi pi çaj, kafe, për neve gjithmonë kanë qenë të mirë. Nuk kanë folur asnjëherë për ndonjë problem”, thotë njëri nga fqinjët e çiftit.
Ata thonë se dy fëmijët e tjerë të çiftit i kanë parë, por Adriatikun i cili dyshohet se i vrau ata, thonë se asnjëherë nuk e kanë parë.
“Ai djali edhe kur ka ardhë, ne kurrë s’e kemi pa as nuk e kemi njoftë as kurrgjo. Rrike brenda, nuk dilte aq. Prindërit e tij thonin është pak i sëmurë. Këta i kanë tre fëmijë. Djali e cika tjetër janë atje punojnë atje rregullisht. Këta vinin herë këtu e herë atje. E kanë blerë këtë shtëpinë afër nesh. Pinim kafe shpesh me zonjën e ndjerë”, sqarojnë fqinjët.
E çifti i ndjerë, planet për të qëndruar në vendlindje i kishin të mëdha. Për këtë punë kishin bërë edhe investime në biznes duke blerë kështu një tokë për parkime në qendër të Prizrenit e dy banesa.
E pikërisht prona dyshohet të jetë shkaktari i këtij veprimi që e kreu 35-vjeçari. Por i dyshuari kryesor për këtë vepër, djali i çiftit, ende nuk është kapur nga policia.
“Ai nuk është marrë me punë të mira. Babi i tij ka qenë milioner. E kanë blerë një parkim në qendër të Prizrenit. Po thonë se për pronë janë kapur”, deklarojnë fqinjët.
Ndërkohë në një përgjigje me shkrim nga prokuroria janë deklaruar se rasti në fjalë është ende në fazën e hetimeve, e se janë duke grumbulluar informacionet e nevojshme.
“Prokuroria Themelore në Prizren njofton se lidhur me rastin e vrasjes së ndodhur me datë 22.01.2020 në lagjen “Ortakoll” në Prizren, prokuroria është akoma në fazën e hetimit dhe grumbullimit të informacioneve të nevojshme, për zbardhjen e plotë të rastit”, ka deklaruar Fitore Mehmeti, zëdhënëse për informim në Prokurorinë e Prizrenit.
Organet e rendit kishin deklaruar se dyshohet se A.H. mund të ketë kaluar kufirin me Maqedoninë e Veriut për të shkuar pastaj në Greqi. Deri tani nuk kanë informacione të reja për vendndodhjen e tij. Ndërkohë në rast tashmë për hetime janë përfshirë edhe autoritetet suedeze.
Ata u qëlluan për vdekje në shtëpinë e tyre në “Ortakoll” të Prizrenit. Sipas policisë, afër trupave të tyre ishin gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me pesë fishekë, një kuti me 49 fishekë dhe dy gëzhoja.
E-Diaspora
-
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato Abdixhiku: "Mërgata jonë ka dhënë shumë për këtë vend; është koha që shteti t’ia kthejë këtë... -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër -
Albin Kurti në Cyrih: Siguria si garanci e paqes dhe shtetndërtimi si përgjegjësi historike
Jeta në Zvicër
-
Policia e Bernës në kërkim të një personi të rrezikshëm, situata në Reconvilier është qetësuar Policia kantonale e Bernës ishte në kërkim të dielën për një person të shpallur si i... -
Ish kandidatja për Miss Zvicra ishte kontaktuar gjithashtu nga Epstein -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër -
Zvicër: Fondet mjaftojnë vetëm për 24 avionë luftarakë në rast ekstrem -
Gjykohet një mercenar zviceran që ka luftuar për Ukrainën













