Ukraina
SHBA, 1 miliard dollarë ndihma të tjera ushtarake për Ukrainën
Administrata e Presidentit Biden njoftoi të hënën 1 miliard dollarë ndihmë të re ushtarake për Ukrainën, duke thënë se kjo do të jetë dërgesa më e madhe deri më tani e raketave, municioneve dhe armëve të tjera që do të dërgohet direkt nga depot e Departamentit të Mbrojtjes tek forcat ukrainase.
Premtimi i Shteteve të Bashkuara për një dërgesë të re masive të armëve vjen pasi analistët paralajmëruan se Rusia po lëvizte trupat dhe pajisjet në drejtim të qyteteve që ndodhen në portet jugore për të shmangur një kundërofensivë të forcave ukrainase.
Ndihma përfshin raketa shtesë për Sistemet e Raketave të Artilerisë me Lëvizshmëri të Lartë, “HIMARS”, si dhe mijëra municione të tjera artilerie, sisteme mortajash, raketahedhës “Javelins” dhe pajisje të tjera. Komandantët ushtarakë dhe zyrtarë të tjerë amerikanë thonë se “HIMARS” dhe sistemet e tjera të artilerisë kanë qenë vendimtare në luftën e vazhdueshme të Ukrainës për të ndalur përparimin e Rusisë.
Njoftimi i fundit e çon ndihmën totale ushtarake të administratës së Presidentit Biden për Ukrainën në rreth 9 miliardë dollarë që kur trupat ruse filluan sulmin në fund të shkurtit.
“Në çdo fazë të këtij konflikti, ne kemi qenë të përqëndruar në përmbushjen e nevojave të forcave ukrainase, në varësi të kushteve në fushën e betejës”, tha Colin Kahl, nënsekretar i mbrojtjes për politikat, në njoftimin e ndihmës së re ushtarake për Ukrainën.
Deri më tani, ndihma më e madhe ushtarake për Kievin ishte njoftuar më 15 qershor dhe përfshinte rreth 1 miliard dollarë. Por kjo ndihmë përfshinte 350 milionë dollarë të autorizuar nga presidenti dhe 650 milionë dollarë të tjera që ishin në kuadër të Iniciativës së Ndihmës në fushën e Sigurisë për Ukrainën.
Ndërkohë, Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar njoftoi të hënën se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë 4.5 miliardë dollarë shtesë për të mbështetur nevojat buxhetore të qeverisë së Ukrainës.
Financimi, i koordinuar me Departamentin amerikan të Thesarit përmes Bankës Botërore, do t’i shkojë qeverisë së Ukrainës në këste, duke filluar me një shumë prej 3 miliardë dollarësh që do të ndahet në gusht, tha Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar.
Në katër muajt e fundit të luftës, Rusia është përqendruar në pushtimin e rajonit Donbasit në Ukrainën lindore, ku separatistët prorusë kanë kontrolluar dy zona, republika të vetëshpallura, në tetë vitet e fundit. Forcat ruse kanë bërë përparime graduale në këtë rajon ndërsa kanë vazhduar sulmet me raketa për të kufizuar lëvizjet e luftëtarëve ukrainas në zona të tjera të vendit./VOA
Të tjera nga Ukraina
E-Diaspora
-
Detaje nga rasti kur një shtetas nga Kosova vrau pronarin e biznesit në Dyseldorf Një vrasje me armë zjarri është regjistruar dje në qytetin e Dyseldorfit në Gjermani. Mësohet se...
-
Arnold “The Cobra” Gjergjaj triumfon në luftën e fundit
-
Nju-Jork: Baleti Kombëtar i Kosovës me dy shfaqje
-
Belgjikë: Kori “Siparantum” do të dhuroj paraqitje dinjitoze
-
Çikago: Pianistja Anila Aliu, me koncert recital
Jeta në Zvicër
-
Pse 1 Maji nuk është festë publike kudo në Zvicër? Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve shënohet më 1 maj, por vetëm disa pjesë të Zvicrës e festojnë...
-
E hëna në Zvicër: Përmbledhje e lajmeve më të fundit
-
Çfarë do të votohet në Cyrih më 9 qershor?
-
Rriten rastet e abuzimit psikologjik të fëmijëve në Zvicër
-
Zvicër: Priten qira akoma më të shtrenjta gjatë vitit të ardhshëm