Lajme
Biden: Raketat në Poloni mund të mos jenë hedhur nga Rusia
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se raketat që vranë dy persona në Poloni mund të mos jenë hedhur nga Rusia, përcjell albinfo.ch.
Shpërthimi i së martës në një fshat polak, pranë kufirit me Ukrainën, ndodhi pasi Rusia nisi një valë sulmesh raketore kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Ministria e Jashtme e Polonisë tha se raketat ranë në Përzevodov – rreth 6 kilometra nga kufiri me Ukrainën.
Rusia mohoi se është përgjegjëse për shpërthimin, ndonëse zyrtarët polakë thanë se raketat ishin prodhim rus.
Polonia është vend anëtar i NATO-s dhe sulmi rus në territorin e saj do të rrezikonte zgjerimin e konfliktit përtej Ukrainës, pasi NATO-ja është e përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive.
Neni 5 i Traktatit të NATO-s thotë se sulmi ndaj një vendi anëtar të aleancës ushtarake, është sulm ndaj të gjithëve.
Biden thirri një takim të liderëve të mbledhur në Bali të Indonezisë për samitin e grupit të vendeve më të industrializuara, G20.
I pyetur nëse është herët të thuhet se raketat që ranë në Poloni, u hodhën nga Rusia, Biden tha:
“Ka informacion paraprak që e kundërshton këtë. Nuk dua ta them këtë derisa ta hetojmë plotësisht, por nuk ka gjasa në linjën e trajektores që të jenë hedhur nga Rusia. Por, do të shohim”.
Biden tha se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të NATO-s do të bëjnë hetime të plota përpara se të veprojnë.
Shpërthimi në Poloni ndodhi pasi Rusia sulmoi me raketa disa qytete të Ukrainës.
Kievi tha se sulmet e së martës ishin vala më e rëndë e tyre në gati nëntë muaj luftë.
Disa raketa goditën edhe Lvivin, i cili ndodhet më pak se 80 kilometra larg kufirit me Poloninë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se raketat ruse goditën Poloninë, duke përshkallëzuar në mënyrë të konsiderueshme konfliktin. Megjithatë, ai nuk paraqiti ndonjë provë për përfshirjen e Rusisë.
“E gjithë Evropa dhe bota duhet të mbrohen plotësisht nga Rusia terroriste”, shkroi Zelensky në Twitter, pas një telefonate me presidentin polak, Andrzej Duda.
Dy diplomatë evropianë thanë se Polonia kërkoi një takim të NATO-s, që pritet të mbahet gjatë ditës së sotme, në bazë të Nenit 4 të Traktatit të NATO-s për konsultime midis aleatëve.
Polonia rriti gjithashtu gatishmërinë e disa njësive ushtarake, tha kryeministri polak, Mateusz Morawiecki.
Morawiecki u bëri thirrje polakëve të qëndrojnë të qetë, ndërsa presidenti Duda tha se nuk ka prova konkrete që tregojnë se kush i hodhi raketat.
E-Diaspora
-
Çfarë masash paralajmëroi Kurti për mërgatën këtë mandat? Kryeministri Albin Kurti, gjatë prezantimit të programit të tij qeverisës për mandatin e tretë në Kuvend,... -
Samiti IV-të i Diasporës Shqiptare në Tiranë, 14–15 prill 2026 -
Nis në Itali gjyqi për vdekjen e kosovares 24-vjeçare -
Bashkatdhetarë nga diaspora mblidhen para Speciales për të ndjekur deklaratën përmbyllëse të mbrojtjes së Thaçit -
Austri
Ansambli “Hasan Prishtina” sjell festën e Pavarësisë së Kosovës në Austri
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal kërkon legjislacion urgjent për viktimat e tragjedisë në Crans-Montana Këshilli Federal i Zvicrës synon të ofrojë ndihmë të shpejtë për viktimat e tragjedisë së Crans-Montana-s.... -
Zvicër: Masa të reja për të rinjtë që marrin pension të paaftësisë -
Këshilli Federal prezanton masën më të fundit për mbrojtjen e pagave në raport me BE-në -
Zvicër: Ne ende i duam paratë, por nuk po i përdorim -
Trump kritikon sërish Zvicrën












