Kosova
A jam vërtet i “huaj” në vendin tim!?
Shkruan: Lirim Begzati
Kënaqësia për ta vizituar vendin e origjinës, ambienti i tollovive të mëdha dhe i një komunikacioni të dendur, shprehja e elementeve apo shpenzimeve luksoze, manifestimi i një dinamike të jetës, ku duket se vendi merr një pamje krejtësisht tjetër, janë këto disa nga gjërat që i dëgjojmë dhe i vërejmë shpesh, por edhe që e karakterizojnë një pjesë të imazhit të kohës së pushimeve, posaçërisht atyre verore, kur një numër i konsiderueshëm i bashkatdhetarëve tanë kthehen në vendlindje, në shtëpitë e tyre.
Krahas kësaj, duket se nga viti në vit «pasurohet», tepër e më tepër, fjalori i njerëzve «të vendit» dhe «të huajve», fjalorë ky i shprehjes së disa vizioneve tona, i adaptuar sipas kohëve dhe realiteteve tona dhe që luhatet në mes të mirësisë dhe kënaqësisë, kritikave dhe revoltës, por edhe në mes të interpretimeve të ngjyrave të ndryshme dhe përbuzjeve e thashethemeve ndaj njëri-tjetrit.
Përballë asaj që dëgjojmë, nuk mungon dominimi i shprehjeve të llojit “Mirë se vini, mërgimtarë” dhe thënia sadopak më diskrete e shprehur posaçërisht me fjalët «Falë të huajve, në këto kohë pushimesh, krijohet një tjetër gjallëri, duket se ekonomia lulëzon së paku përkohësisht».
Kësaj që u tha, i shtohet faqja tjetër e «medaljes», e shprehur posaçërisht me fjalët: «Këto të huajt na krijojnë tollovi, mundohen t’i tregojnë pasuritë e tyre…!», si përbuzje kjo jo gjithmonë aq diskrete dhe jodomosdoshmërish pa vend, edhe pse këtu shtrihemi në regjistrin e përgjithësimeve të tepruara!
Komentime të pafundta!
«I huaj në vendin time, i huaj edhe në vendin e huaj», thotë njëri, kurse tjetri replikon: «Kur do të shkojnë më këto të huajt, se na lodhën më»!
Qofshin këto edhe thënie të një pakice apo anekdotike, ato ekzistojnë megjithatë, ato qarkullojnë, këtu e aty, qoftë përmes shprehjeve, qoftë përmes ca ndjenjave të krijuara.
Një shembull domethënës dhe sa për ilustrim që shpesh tërheq disa kureshtje; me plot arsye drejtohen nganjëherë vërejtje të llojit: «O zotëri, pse e keni parkuar veturën aty ku është e ndaluar…Vallë, a do të mund ta bënit po të njëjtën gjë në Zvicër, në Gjermani etj…?»
Në realitet, vërejtje e qëlluar kjo, edhe pse mungon sadopak reflektimi objektiv i kohës dhe në përputhje me funksionimin e disa normave jetësore dhe rregullave në vendin tonë, ku duket se nuk janë të paktë ata që veprojnë kësisoj, ata «të vendit» dhe të «huajt». Një funksionim ky “universal” i njerëzve tanë!
Bie në pah fakti se kritikuesi harron nganjëherë se po të njëjtin veprim e ka bërë ndoshta edhe ai vetë apo nëse jo, atëherë nuk dyshohet se nuk do të vonohet shumë për ta bërë edhe ai po të njëjtin gjest. Kritikuesi i ditës së sotme shpesh shndërrohet, pra, në «aktor» i nesërm i aktit të tillë të papëlqyer. Këto janë realitetet tona, e jo vetëm të tjerëve!
Mbi të gjithat, ato «të vendit», por edhe ato «të huajt», apo ata të cilët shprehin një sensibilitet më të theksuar ndaj akteve dhe gjesteve që na pengojnë, i bashkon dëshira për luftimin e dukurive të papëlqyeshme apo të pahijshme që ndodhin para syve tona, në trojet tona! E kjo është ajo që i bashkon njerëzit tanë, që përfundimisht nuk dallojnë shumë nga njëri-tjetri, nga të tjerët!
Ndodhin, pra, “rivalitete” të papëlqyera dhe të zhveshura nga mirëkuptimi. Jepet edhe përshtypja se nuk tregohet gjithmonë mundi i duhur për të analizuar dhe vlerësuar sadopak më objektivisht disa realitete, që të kuptohen më mirë njëri-tjetri.
Në qoftë se synohet t’u jepet ndonjë përgjigje e kënaqshme disa pyetjeve mbi këto çështje, me siguri se shpejt do të hasnim në vështirësi të shumta për të gjetur ndonjë përgjigje që do t’i shkonte përshtati çdokujt.
Paralelisht me atë që është e papëlqyeshme, hasim fatmirësisht një dukuri që mbizotëron dhe që duket më e vyeshme se çdo gjë tjetër që u tha më lart. Shprehjet e kënaqësive së paku të dyfishta, të atyre që kthehen në vendlindjen e tyre, tek të afërmit e tyre, dhe të atyre që shprehin gjithashtu kënaqësinë për t’i parë të afërmit që kthehen në shtëpitë e tyre.
Fundja, «këta të huajt, këta të vendit, e këta të tjerët…! », janë thënie të kota!
Jo. Nuk jam i huaj në vendin tim!

E-Diaspora
-
Ylfete Fanaj zgjidhet presidente e Konkordatit të burgjeve të Zvicrës Veriperëndimore dhe Qendrore "Në situatën e tensionuar të kapacitetit të burgjeve në të gjithë Zvicrën, nevojiten zgjidhje të qëndrueshme... -
Petrit Krasniqi, drejtues i ri i investimeve në Fondin e Sigurimeve të mësuesve të Bernës -
Granit Xhaka rrëfen sakrificat e familjes -
Londër
Akademia Ballkanike e Pianos bëhet pjesë e sistemit prestigjioz Trinity College London -
Itali
Aksident fatal në Itali: Vdes punëtori shqiptar në kantier ndërtimi
Jeta në Zvicër
-
Kantoni i Bernës është gati ta quajë feminicidin me emrin e saj të vërtetë Këshilli ekzekutiv i kantonit të Bernës është i përgatitur të përmendë në mënyrë të qartë feminicidin... -
Universitetet zvicerane paralajmërojnë se plani “10 milionë” mund të dëmtojë kërkimet -
Virusi dengue zbulohet për herë të parë në Bazel -
Rritet numri i dyqaneve bosh në Gjenevë – alarm për ekonominë lokale -
Zvicra investon miliarda në mbrojtjen ajrore













