Kosova
Çfarë u diskutua mes Kurtit, Lajçakut dhe Borrellit në Munih
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar me shefin e diplomacisë së BE, Josep Borrell, si dhe të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për procesin e dialogut dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kurti, së bashku me ministrin e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, e zhvilloi një takim bilateral në Konferencën e Sigurisë në Munih me Borrellin dhe Lajçakun, sipas njoftimit.
“Në dritën e shkeljeve të vazhdueshme nga Serbia, sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe sigurisë kombëtare, letrave dhe deklaratave të vazhdueshme publike për mosdetyrimin ligjor të marrëveshjes për Serbinë dhe për moszbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të arritur në Bruksel dhe Aneksit të saj në Ohër, nënshkrimi i marrëveshjeve është bërë i nevojshëm si garancë e respektimit dhe zbatimit të plotë të tyre, drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, ka thënë Kurti.
Ai iu referua deklaratës së kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç, e cila tha në dhjetor se vendi i saj nuk do t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet për të cilat u pajtua me Kosovën.
Që nga viti 2011, BE-ja e ndërmjetëson dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky proces mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara.
Vitin e kaluar, palët arritën Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksin për zbatimin e saj. Pavarësisht trysnisë ndërkombëtare që palët të zbatojnë marrëveshjen, blloku evropian ka thënë se ajo nuk po zbatohet.
BE-ja ka thënë se marrëveshja, që nuk është nënshkruar, është obligative për palët. Në Munih ndodhet edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç. Por, një takim i përbashkët mes Kurtit dhe Vuçiçit me ndërmjetësin evropian të dialogut, nuk është në agjendë, ka thënë Borrell më herët gjatë ditës.
Kryeministri po ashtu kërkoi heqjen e masave kufizuese “të padrejta” të vendosura nga Bashkimi Evropian, sipas njoftimit. Verën e vitit të kaluar, BE-ja ndërmori masa ndëshkuese kundër Kosovës, përfshirë anulimin e disa fondeve dhe takimeve të nivelit të lartë, për shkak se Kosova nuk iu bind disa kërkesave të saj për të shtensionuar situatën në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe.
Tensionet në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur prej 26 majit 2023, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.
Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill të atij viti, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.
E-Diaspora
-
Konsullata e Kosovës në Düsseldorf organizon mbrëmje letrare me autoren Jehona Kicaj U prezantua romani debutues “ë”, i cili është përfshirë në listën e ngushtë të “Deutscher Buchpreis... -
Austri
Aksident tragjik në Austri, humb jetën një 19-vjeçar nga Kosova -
Mehas Alija: “I marrim seriozisht këto shqetësime, janë pjesë e debatit demokratik” -
Francë
Në Francë mbahet edicioni i tretë i Ekselencës Sipërmarrëse të Diasporës Frankofone -
Teatri “Mërgimtari” nga Kroacia sjell në Shqipëri shfaqjen “Kukulla”
Jeta në Zvicër
-
Kuvendi Shqiptar në Zvicër reagon për kërkesat e studentëve shqiptarë në Shkup Kuvendi Shqiptar në Zvicër ka dalë me reagim për kërkesat e studentëve shqiptarë në Shkup, për... -
Zjarri përfshin zhveshtoren e FC Basel, shtyhet ndeshja me Thun -
Mehas Alija: “I marrim seriozisht këto shqetësime, janë pjesë e debatit demokratik” -
Në Zvicër mbi 300 mijë të moshuar përballen me dhunë -
Gjeneva, një nga qendrat botërore të industrisë së aromave dhe shijeve












