Lajme
Regjistrimi i popullsisë do të bëhet edhe për diasporën
Nga sot, 5 prill, për më shumë se një muaj në Kosovë do të zhvillohet procesi i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos 2024), përcjell albinfo.ch.
Kësaj radhe regjistrimit do t’i nënshtrohet edhe diaspora. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, informacioni i mbledhur gjatë regjistrimit të popullsisë do të shërbejë si bazë për vendimmarrje kritike, që prek çdo aspekt të jetës, nga kujdesi shëndetësor, arsimi, zhvillimi i infrastrukturës e deri te ndarja e burimeve dhe planifikimi i politikave.
Agjencia e Statistikave të Kosovës në prag të fillimit të këtij projekti ka thënë se pjesëmarrja në Regjistrimin e Popullsisë nuk është vetëm një detyrë qytetare, si akt i fuqishëm përfaqësimi, por është edhe obligim ligjor.
“Duke u siguruar që ju dhe familja juaj të numërohen, ju shprehni praninë tuaj dhe kontribuoni në formësimin e së ardhmes sonë”, thonë në ASK.
Sipas një njoftimit të Agjencisë, Regjistrimi i Popullsisë nuk është vetëm një numërim i popullsisë, por sipas saj, është një përpjekje gjithëpërfshirëse që paraqet një pamje të detajuar se kush jemi, ku qëndrojmë dhe ku mund të shkojmë.
Regjistrimi i popullsisë, i cili do të zhvillohet në Kosovë nga data 5 prill deri më 17 maj, do t’u mundësojë qytetarëve gjithashtu të deklarohen edhe për dëmet që u ka shkaktuar lufta gjatë viteve 1998/1999.
Në mesin e pyetësorëve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës është edhe ai për dëmet nga lufta në ekonomitë familjare.
“Të dhënat që do të mblidhen në këtë kontekst, do të shërbejnë vetëm si kornizë orientuese për institucionet e Kosovës”, tha ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati.
Këto të dhëna, sipas tij, do t’u shërbejnë institucioneve të Kosovës për t’i identifikuar më lehtë rastet e krimeve dhe dëmeve të luftës.
“Kjo është vetëm një kornizë, një plotësim i burimeve tjera që ka Kosova, organizatat dhe institucionet e saj. Kjo nuk nënkupton që ne dalim nesër me një raport dhe themi se ‘janë kaq dëme’”, thotë Kastrati për Radion Evropa e Lirë.
Përveç për dëmet në njerëz, pyetësori i ASK-së synon të marrë përgjigje nga qytetarët edhe për pronat e shkatërruara, duke i kategorizuar ato sipas vlerës monetare nga 10 mijë euro deri në mbi 40 mijë euro. ASK-ja, më pas, do të krijojë një databazë me të dhënat për dëmet nga lufta, të deklaruara nga qytetarët.
Kjo databazë do t’i dorëzohet Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, konfirmon drejtori i këtij instituti, Atdhe Hetemi.
Informatat që do të nxirren nga databaza e krijuar nga ASK-ja, sipas tij, do t’i shërbejnë institutit për analiza krahasuese me informacionet që tashmë ekzistojnë lidhur me krimet e luftës dhe dëmet në prona. “Së dyti, na shërbejnë për të bërë një lloj harte, se në cilat zona të Kosovës ka pasur më shumë dëme apo krime, në mënyrë që ne, më pas, në momentin që fillojmë punën për mbledhjen e dokumenteve që dëshmojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ta dimë se kah të fokusohemi”, thotë Hetemi.
Dokumentimi i krimeve të luftës në Kosovë është konsideruar si urgjencë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për shkak se “me kalimin e viteve, jemi duke i humbur dëshmitarët”.
Kjo detyrë, sipas tij, u takon komisioneve ose agjencive të tjera të Qeverisë së Kosovës. “Komisioni pastaj del dhe i verifikon. Kanë punë… Do të marrë vite kjo, s’e besoj që e kanë lehtë”, thotë Kastrati.
Hetemi thotë, po ashtu, se autoritetet janë të vetëdijshme që mund të ketë deklarime të pasakta ose eventualisht të rrejshme nga qytetarët për shumat e caktuara që janë vendosur në pyetësor lidhur me pronën e shkatërruar. Sipas tij, të dhënat për dëmet nga lufta, të deklaruara nga qytetarët, nuk do të konsiderohen me automatizëm si të mirëqena, për t’i futur në arkiv të institutit.
E-Diaspora
-
Bern: Event mbi integrimin përmes punës dhe ndërmarrësisë Më 28 mars 2026, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bern, mbahet një... -
Gjenevë
Rënie e interesimit për mësimin e gjuhës shqipe në Gjenevë, apel për prindërit -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ -
Kuzhina shqiptare në qendër të festimeve frankofone në Suedi -
Mëso shqip në diasporë: Regjistrimet hapen në shumë shtete
Jeta në Zvicër
-
Gjeneva propozon pagesa për vreshtarët për të shmangur humbjen e vreshtave të saj I përballur me një krizë të madhe në vreshtarinë zvicerane, kantoni i Gjenevës dëshiron të prezantojë... -
Aeroporti Basel-Mulhouse me tetë destinacione të reja për verën -
Çmimet e karburantit vazhdojnë të rriten në Zvicër -
Testet zbulojnë nivel të lartë të PFAS në qumështin e Appenzell Ausserrhoden -
Gjenevë
Rënie e interesimit për mësimin e gjuhës shqipe në Gjenevë, apel për prindërit












