Kosova
Enver Sekiraqa dënohet me 25 vjet burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza
Gjykata e ka dënuar Enver Sekiraqën me 25 vjet burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sekiraqës i është ndërprerë edhe masa e arrestit shtëpiak.
Në seancën e fundit, më 29 prill, Prokuroria kishte kërkuar dënimin e Sekiraqës derisa ky i fundit kishte deklaruar se me ish-policin s’kishte pasur probleme më herët.
Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019 e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vjetësh.
Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020 kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës, duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.
Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale, për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 vjetëve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.
Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.
Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore, Mejreme Memaj.
Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthejë në paraburgim Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.
Me këtë, gjykata e shkallës së dytë kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.
Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur më 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.
E si garancion për lirimin e tij Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.
Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë, nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.
Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.
Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.
Incidenti në “Swiss Casino” kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij, në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani, në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.
Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Cyrih: Akademik Agani u kujtua si “truri i rezistencës civile” të viteve `90 Ekspozita kushtuar Akademik Aganit u organizua nga Konsullata e Kosovës në Cyrih, SHBK “Salih Çekaj” në... -
5 vite sukses në Zvicër: Dorina Karafili dhe rrugëtimi i “Dotax Treuhand” -
Pse Dua Lipa e padit Samsung-un prej 15 milionë dollarë -
Promovohet monografia që dokumenton historinë e shkollës shqipe në Rosenheim- Bavari -
Rama paralajmëron rritje të numrit të mësuesve të gjuhës shqipe në diasporë
Jeta në Zvicër
-
Numri i viktimave të trafikimit në Zvicër u rrit në vitin 2025 Shoqata FIZ Avokim dhe Mbështetje për Gratë Migrante dhe Viktimat e Trafikimit regjistroi 228 persona në... -
5 vite sukses në Zvicër: Dorina Karafili dhe rrugëtimi i “Dotax Treuhand” -
Gjoba prej 700 frangash për mospjesëmarrjen në ditën e informacionit të mbrojtjes civile -
Tërmete të “kontrolluara” po shkaktohen nën Alpet Zvicerane -
Në këtë itinerar trenat janë më të mbushur me njerëz













